Ndërlidhjet

A janë shkelur vijat e kuqe të dialogut?


Ilustrim
Ilustrim
Në spektrin politik të Kosovës po shtohen gjithnjë e më shumë zërat për një ridefinim të pozicionit të Prishtinës zyrtare në raport me dialogun me Serbinë.

Pas komenteve të fundit të ndërmjetësit ndërkombëtar në këtë dialog Robert Kuper të bëra për Radion Evropa e Lirë, se bisedimet kanë qenë gjithnjë të natyrës politike, përfaqësues të opozitës, por jo vetëm ata, thonë se konstatime të tilla kishin shprehur në vazhdimësi, por ishte qeveria e Kosovës ajo që insistonte t’i kualifikonte ato si bisedime teknike.

Një nga udhëheqësit e institucioneve, i cili në vazhdimësi ka kërkuar më shumë sqarime nga Qeveria në lidhje me dialogun me Serbinë, është edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Edhe të hënën, Krasniqi tha se duhet të bëhet një vlerësim nëse protagonistët e bisedimeve i kanë tejkaluar përgjegjësitë në këtë dialog.

Kanë qenë kërkesa për të biseduar për çështje teknike dhe për çështje të lehtësimit të qytetarëve të Kosovës dhe nëse tejkalohen këto që janë precizuar edhe në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por edhe në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, mendoj se përgjegjësia është e atyre që janë futur në një çështje që nuk ka qenë përgjegjësi e tyre”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, nga tabori opozitar përsëritet se Qeveria e Kosovës, përmes këtij dialogu i ka bërë një favor të madh Serbisë duke i siguruar asaj kandidaturën për anëtarësim në BE.

Përderisa Kosova, sipas opozitës, nuk ka marrë asgjë si kundërshpërblim për koncesionet e bëra.

Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri thotë se dialogu me Serbinë ka qenë dhe mbetet i natyrës politike.

Asnjëherë LDK-ja s’ka qenë kundër dialogut, por ka qenë kundër një lloji të tillë të dialogut, ose bisedimeve thjesht politike, dhe realisht bisedimet Kosovë - Serbi, i kanë shërbyer Serbisë për të arritur atë që e arriti, fitoi statusin e kandidatit pa e realizuar pothuajse asnjë nga marrëveshjeve që i ka arritur me Kosovën gjatë këtyre bisedimeve”, tha Beqiri.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri thotë po ashtu se Qeveria i ka ikur në vazhdimësi prezantimit para Kuvendit të marrëveshjeve apo konkluzioneve të dialogut me Serbinë, me çka ka krijuar shumë paqartësi në lidhje me zbatimin e tyre.

Ne kemi kërkuar që të dihet një agjendë e qartë, të ketë një program të qartë se çfarë dëshirohet të arrihet dhe këto marrëveshje, pse jo të prezantohen në Kuvend, të jenë transparente dhe të dihet se çka është arritur e çka është nënshkruar. Kjo nuk ka ndodhur dhe Kuvendit të Kosovës, Qeveria po i bishtnon dhe nuk po e realizon as atë që është paraparë me një rezolutë me të cilën obligohet që të prezantojë ecurinë, por edhe realizimin e asaj që deri më tash është arritur në dialog”, tha Beqiri.

Një shqetësim tjetër te një pjesë e spektrit politik mbetet nëse dialogu në të ardhmen do të përfshijë edhe temën e veriut të Kosovës, ku autoritetet kosovare nuk kanë arritur të shtrijnë pushtetin dhe i cili mbetet nën kontrollin e strukturave paralele të mbështetura nga Serbia.

Ndërmjetësi Robert Kuper nuk e ka mohuar mundësinë që kjo temë të hapet në dialog.

Ndërkaq kryetrari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi thotë se për veriun, oferta e vetme e Prishtinës duhet të mbetet Pakoja e Presidentit Ahtisari, përmes së cilës komuniteteve pakicë u garantohet shkalla më e lartë e realizimit të të drejtave të tyre.

Edhe Brukseli edhe politika e Departamentit të Shtetit kanë bërë një presion të institucionet e Kosovës për të zhvilluar bisedime edhe pse në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme kanë qenë teknike, tash po del që nuk kanë qenë thjesht teknike. Duhet të bëhet presion mbi Beogradin, që Beogradi të sillet konform marrëveshjeve që janë arritur, dhe në fund të fundit edhe konform Rezolutës 12 44, sipas të cilës Serbia nuk ka të drejtën të përzihet në asnjë formë në territorin e Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian kanë prodhuar deri më tani shtatë marrëveshje të prezantuara edhe si konkluzione.

Por, deri më tani nuk është bërë ndonjë vlerësim zyrtar nga ana e Bashkimit Evropian lidhur me zbatimin e tyre.
XS
SM
MD
LG