Ndërlidhjet

Arsimi ndërmjet akuzave pushtet - opozitë


Shkollë në Kosovë - foto nga arkivi

Shkollë në Kosovë - foto nga arkivi


Çështja e arsimit parauniversitar në Kosovë, së fundi është shndërruar në arenë kritikash në mes të partisë në pushtet Partia Demokratike e Kosovës dhe asaj në opozitë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

AAK vlerëson se në Kosovë, sistemi i arsimit është tejet i dobët dhe vazhdon të jetë i politizuar nga partia në pushtet.

Kryetari i departamentit për arsim në AAK, Jonuz Salihaj, e konsideron shqetësuese cilësinë në arsimin e Kosovës.

Sipas tij, sistemi i arsimit në vend gjendet para shumë sfidave të mëdha dhe kërkohet urgjentisht një inspektim për këtë çështje.

“Inspektimi do të përmirësonte shumë cilësinë e arsimit, ju e dini që vlerësimet e jashtme edhe në testin e arritshmërisë dhe në testin e maturës, kanë treguar se arsimi ynë është në krizë të thellë, sepse suksesi i fëmijëve nuk e kalon 50 për qindëshin e pikëve”, deklaron Salihaj.

Por, zëvendësministri i arsimit Nehat Mustafa i hedh poshtë këto kritika duke thënë se deklaratat e tilla janë të motivuara politikisht.

Për më tepër, ai thotë se deklaratat e opozitës, zakonisht paraqiten nga udhëheqës të institucioneve private, që për synim, sipas tij, kanë tërheqjen e vëmendjes së qytetarëve nga arsimi publik në atë privat.

Për ne është e pakuptimtë se ka filluar një gjah, dhe një luftë aq e ashpër kundër cilësisë se arsimit që është në shkolla të larta. Ne e dimë pse po bëhet kjo, sepse arsimi në përgjithësi në Republikën e Kosovës, katër vjetët e fundit ka shënuar rritje të jashtëzakonshme. Po tentojnë që të japin deklarata përmes së cilave po synojnë të mohojnë çdo të arritur që ka ndodhur”, u shpreh Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, sa i takon çështjes së inspektimit, zëvendësministri deklaron se ekziston ligji për inspektimin, që mundëson inspektimin administrativ dhe vlerësimin e përformancës se mësimdhënësve.

MASHT, në këtë drejtim ka ecur përpara, ka formuar një grup të caktuar i cili është duke po merret dhe do të vlerësojë përformancën e mësimdhënësve nëpër shkolla. Përveç inspektimit administrativ, do të kemi edhe vlerësim të përforëmancës së mësimdhënësve nga inspektorë me shumë përvojë që janë zgjedhur nga MASHT. Ka përfunduar pilotimi, dhe tash do të fillojë ky vlerësim i përformancës në gjitha shkollat e Republikës së Kosovës”, bën të ditur Mustafa.

Salihaj nga AAK-ja, thotë në sistemin e arsimit në Kosovë ka pasur disa ndryshime, por ato nuk janë bërë në mënyrën e duhur.

Kjo sipas tij, ndodh pasi që sistemi arsimor në Kosovë është politizuar.

Këta njerëz që po menaxhojnë sot sistemin e arsimit, praktikisht po e menaxhojnë keq. Kryesisht po e keqpërdorin atë për nevoja të veta. Ka politika nepotizmi. Ka njerëz që merren me punë vetëm nga partia në pushtet. Po ashtu, njerëzit e njëjtë i bëjnë strategjitë e ndryshme dhe ato nuk i zbatojnë në praktikë. Unë po flas për të mirën e arsimit në Kosovë, nuk po flas vetëm për një segment të arsimit privat ose një arsim tjetër. Po flas për arsimin shtetëror i cili praktikisht përfshin mbi 90 për qind të fëmijëve, dhe ky arsim është i organizuar keq”, vlerëson Salihaj.

Edhe eksperti Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovë, pohon se gjendja në arsimin parauniversitar në Kosovës nuk është në nivelin e duhur.

Sipas tij, shkaktar i kësaj çështjeje është vet sistemi i arsimit, i cili nuk është i avancuar.

Nevojitet një hulumtim, një ekspertizë, objektivë shkencore për të konstatuar jo vetëm gjendjen e tashme, por edhe etiologjinë e saj, faktorëve të cilët kanë ndikuar që kjo gjendje të jetë kështu. Gjendja në arsimin parauniversitar nuk është e mirë. Nuk ka as efikasitet, as efektivitet. Bindja e ime e thellë është se edhe opozita nuk ka një vizion të qartë, e as nuk ka informacione objektive relevante në të cilin ajo e bazon vlerësimin e vet”, thotë Hyseni.

Ai po ashtu thekson se nismat reformuese në arsim të cilat kanë filluar që nga viti 2000 e deri më sot, nuk kanë arritur synimet e tyre.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG