Ndërlidhjet

logo-print

S'ka largim të ngutshëm nga Afganistani

  • RFE /RL

Barak Obama

Barak Obama



Presidenti amerikan Barak Obama tha se nuk do të ketë “nxitim për largim” nga Afganistani, pavarësisht vrasjes së 16 civilëve afganë nga një ushtar amerikan më 11 mars.

Obama tha në një intervistë për një televizion lokal amerikan se edhe më tej mbetet i domosdoshëm “largimi i përgjegjshëm, në mënyrë që të mos ketë nevojë për kthim të sërishëm”.

Ajo që nuk duam ta bëjmë është nxitimi për t’u larguar. Ne kemi qindra këshilltarë në sektorin civil, ne kemi sasi të madhe të pajisjeve në Afganistan, që duhet të largohen. Ne duhet të sigurohemi se afganët do të mund të mbrojnë kufijtë e tyre dhe të pengojnë kthimin e Al Kaidës. Prandaj duhet të sillemi në mënyrë të përgjegjshme”, ka thënë Obama për degën e CBS-së, KDKA në Pitsburg.

Ai theksoi se SHBA-të nuk do të qëndrojnë në Afganistan, “më shumë sesa që ka nevojë.”

Vrasjet sërish kanë përkeqësuar raportet edhe ashtu të tensionuara amerikano-afgane pas lajmit se muajin e kaluar trupat amerikane në Afganistan kishin djegur kopje të Kuranit.

Raportohet se një ushtar afgan është vrarë kur militantët e dyshuar kanë hapur zjarr ndaj një delegacioni qeveritar afgan që po vizitonte zonën ku u vranë civilët afganë. Dy persona tjerë janë plagosur.

Ndërsa, qindra studentë në qytetin lindor të Xhelalabadit kanë protestuar kundër sulmit të ushtarit amerikan.

Ata kanë brohoritur parulla si “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje ushtarit që vrau civilët tanë”.

"Nuk dëshirojmë asnjë partneritet strategjik me trupat e huaj. Afganët janë popull i pavarur dhe duam të jetojmë të pavarur dhe jo si koloni e ndonjë shteti. Edhe njëherë dënojmë incidentin e Kandaharit me fjalët më të fuqishme dhe kërkojmë nga autoritetet që ta vënë kriminelin para drejtësisë”, ka thënë njëri nga protestuesit, Dadullah Khans.

Kjo është përshkruar si protesta e parë më e madhe si reagim ndaj vrasjes. Disa protestues kanë djegur një portret të presidentit Barak Obama.

Ushtari amerikan, identiteti i të cilit ende nuk është zbuluar, I cili mëngjesin e 11 marsit nga baza e tij në Kandahar ka shkuar në dy fshatrat e afërta, për të shtënë për vdekje mbi 16 civilë afganë, mund të dënohet me vdekje.

Kjo është paralajmëruar nga sekretari i mbrojtjes Leon Paneta, i cili gjatë udhëtimit për në Kirgizi tha se i dyshuari do të gjykohet sipas ligjit ushtarak amerikan, i cili në disa raste lejon edhe dënimin me vdekje.

Edhe Paneta ka thënë se vrasjet “nuk duhet të nxjerrin nga binarët” misionin ushtarak në Afganistan.

Opinioni publik edhe në SHBA edhe në Afganistan po vazhdon të rrisë kundërshtimet ndaj pranisë së forcave amerikane dhe të tjera në Afganistan.

Forcat e NATO-s janë vënë në gjendje gatishmërie, pas deklaratave për hakmarrje të talibanëve.

Presidenti amerikan Barak Obama i ka telefonuar homologut të tij afgan, Hamid Karzai dhe ka premtuar se fajtorët do të japin përgjegjësi.

Karzai e ka përshkruar sulmin si “vrasje të qëllimshme të civilëve” për të shtuar se sulmi “është i pafalshëm”.



Parlamenti afgan ka kërkuar nga SHBA që të “dënojë keqbërësin” dhe ta vë para gjyqit publik.

Ndërkohë, në margjinat e një takimi të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton ka shprehur keqardhjen për vrasjen e 16 civilëve afganë.

Më lejoni të them, se si shumë amerikanë, jam e shokuar dhe e trishtuar me vdekjen e fshatarëve të pafajshëm afganë këtë fundjavë. Ne i shprehim ngushëllimet familjeve që i humbën më të dashurit e tyre si dhe popullit afgan. Kjo nuk na prezanton neve, dhe SHBA është e përkushtuar që fajtorët të përgjigjen”, ka thënë Klinton.

Ndërkohë, zëdhënësi presidencial Xhej Karnei, tha se kalendari i SHBA-së dhe NATO për dorëzimin e përgjegjësive te forcat afgane mbetet siç ka qenë - viti 2014.

Karnei tha se diskutimet rreth dinamikës së tërheqjes po zhvillohen mes SHBA-ve dhe aleatëve dhe do të jenë në agjendë të takimit të NATO-s në Çikago, takim ky që mbahet në muajin maj.(a.i.)
XS
SM
MD
LG