Ndërlidhjet

Maqedoni: Incidentet dëbojnë integrimet


Shkup...
Shkup...
Incidentet e fundit ndëretnike në Maqedoni reflektohen negativisht në procesin e integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, thonë njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare.

Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit Euroatlantik thotë se pas problemeve me shtetet fqinje lidhur me emrin dhe çështjet tjera, zhvillimet e fundit në planin ndëretnik dhe përplasjet mes partive për incident, edhe më shumë kanë ndërlikuar procesin e integrimit.

Ngjarjet e fundit vetëm sa e largojnë ë Republikën e Maqedonisë nga integrimet euroatlantike dhe duke marrë parasysh edhe problemet tjera me shtetet tjera si me Greqinë, Bullgarinë dhe problemet tjera, mendoj se zvogëlohen edhe më shumë gjasat për integrimin euroatlantik të vendit”, thotë Ramadani.

Ndërkohë, edhe Denko Maleski, ish diplomat, thotë se tani procesi është vështirësuar edhe më shumë, por, për këtë, ai fajëson faktorët relevantë shtetërorë, e jo të rinjtë, që sipas tij, incidentet mund t’i kenë shkaktuar nga fakti se Maqedonia nuk ka lëvizur aspak në drejtim të zgjidhjes së kontesteve dhe integrimit në strukturat euroatlantike.

Ky është një lloj i reagimit për shkak të mosintegrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Mendoj te popullata, e në veçanti te të rinjtë, është i pranishëm, si të them, revolucioni në pritje. Ata po shohin se çfarë po ndodh në Botë dhe Evropë dhe manifestimet e këtilla mund të interpretohen edhe si një formë e shprehjes së pakënaqësisë. Pra, kam frikën se bëhet fjalë për një shprehje të pakënaqësisë më të thellë, se nuk po ecim më shpejt në rrugën e integrimit dhe se nuk po i zgjidhim problemet tjera sociale në formën e dëshiruara” , shprehet Maleski.

Duke komentuar zërat e fundit në opinion, se gjoja incidentet mund të jenë të inskenuar me qëllim të përshpejtimit të procesit integrues, zoti Ramadani thotë se një bindje e tillë do të ishte absurde, pasi strukturat evropiane në mënyrë kategorike përjashtojnë shtetet problematike, pasi nuk dëshirojnë që problemet e tyre t’i fusin brenda unionit.

Në Bashkimin Evropian dhe në NATO nuk mund të anëtarësohen shtetet të cilat kanë probleme të brendshme dhe probleme me fqinjët. Askush nuk duhet të shpresojë se në qoftë se krijohen incidente, apo nëse ka incidente atëherë BE ose NATO do të jenë më të interesuar që në një mënyrë me anëtarësim ose me hapje të negociatave do të stabilizohet gjendja në Maqedoni“, thekson Ramadani.

Sipas ekspertëve, institucionet shtetërore duhet të marrin masa urgjente për uljen e tensioneve, pasi vala e incidenteve që ka përfshirë vendin, jo vetëm që largon Maqedoninë nga integrimet evropiane, por rrezikon edhe stabilitetin e saj.

Drejtuesit e institucioneve kanë lëshuar dhjetëra apele për qetësi dhe kanë paralajmëruar se të gjithë ata që shkaktojnë incidente apo rrezikojnë jetën e qytetarëve të pafajshëm, do të përballen me forcën e shtetit.

Ministria e Brendshme pretendon të ketë zbardhur shumicën e rasteve, ndërsa ndaj disa personave përfshirë dhe ata që rrahën 15 nxënës shqiptarë, tashmë ka ngritur padi penale duke i shqiptuar edhe masën e paraburgimit.
XS
SM
MD
LG