Ndërlidhjet


Në kohën kur janë në rritje kritikat për mungesën e autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit dhe kur ka mbetur diskutabile nevoja për një zgjidhje politike për atë problem, edhe misionet ndërkombëtare të angazhuara atje thonë se kanë telashe në zbatimin e mandatit të tyre.

Me vështirësitë që ka prania e KFOR-it ballafaqohen edhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, puna e të cilëve sfidohet nga kundërshtimi i serbëve lokalë.

Këta të fundit vazhdojnë t’i mbajnë barrikadat rrugore të vendosura që nga shtatori i vitit të kaluar, ndërsa u janë përgjigjur negativisht të gjitha thirrjeve për integrim që autoritetet vendore e ndërkombëtare u drejtuan atyre.

Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, nuk dha detaje për numrin e ushtarëve të misionit të angazhuar në veri, por tha se problem kryesor mbetet liria e lëvizjes.

Natyrisht se motivimi i njerëzve për të kaluar në pikat kufitare në Jarnijë dhe Bërnjak përmes rrugëve kryesore mbetet sfida aktuale, por edhe liria e lëvizjes-jo vetëm për KFOR-in, por edhe për EULEX-in meqë nuk është kuptuar si duhet”, u shpreh ai.

Deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës rol më të theksuar në veri kishte misioni i Kombeve të Bashkuara, prania e të cilit gjatë procesit të rikonfigurimit të misioneve ndërkombëtare është tkurrur duke funksionuar me një zyre të vetme.

Që nga shkurti i 2008-tës punën e tyre në vend e patën nisur edhe Zyra Civile Ndërkombëtare dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimi e ligjit, shtrirja e të cilëve në veri u pat bërë me vonesa nga planet paraprake.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, tha se mungesa e qasjes së misionarëve evropianë në veri paraqet pengesën kryesore në punën e tyre, ndërsa si pasojë nuk mund të veprohet si duhet në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Duke pasur parasysh që organet që merren me sundimin e ligjit-gjyqësori, prokurorët e hetuesit nuk mund të kenë qasje në tërë atë pjesë të Kosovës, është shumë normale që njerëzit nuk mund të hetohen dhe të vihen para drejtësisë”, tha Krasniqi.

Përfaqësuesit e ICO-së, ndërkaq, nuk deshën ta publikojnë numrin e anëtarëve të stafit që vepron në veri, por thanë se deri më tani janë arritur “suksese të dukshme” kur bëhet fjalë për përmirësimin e jetës së qytetarit.

Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Kristian Palme, tha se punën e arritur deri më tani në pjesën veriore e dëshmon mbështetja dhënë qeverisë së Kosovës rreth shërbimeve publike dhe decentralizimit.

Fakti që e kemi mbështetur qeverinë në ofrimin e këtyre shërbimeve në veri demonstron se jemi shumë të pranishëm në veri”, tha ai.

Por, njohësit e rrethanave politike mendojnë krejt ndryshe kur bëhet fjalë për arritjet e misioneve ndërkombëtare në veri të Kosovës.

Hulumtuesi i lartë në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Shpend Kursani, tha se veriu i Kosovës është ‘më shumë Serbi se sa Kosovë”.

Veriu mund të themi se është më shumë Serbi se sa që është Kosovë duke marrë parasysh që strukturat paralele atje funksionojnë në tërësi. Fakti që funksionojnë strukturat paralele të Serbisë-pra, ministria e punëve të brendshme dhe BIA që kanë kontroll të përgjithshëm, ndërsa krahasuar me praninë e institucioneve të Kosovës, pra vetëm disa policë, e dëshmon këtë”, vlerësoi ai për të shtuar se prania ndërkombëtare në veri të vendit reflekton mungesën e përcaktimit të duhur të mandatarëve të misioneve në fjalë - Bashkimit Evropian dhe NATO-s, vendet anëtare të të cilave kanë qëndrime të ndryshme rreth pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG