Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës: Zgjedhjet serbe të papranueshme


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se qëndrimi i Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë është i pa pranueshëm.

Në një komunikatë për media Qeveria e Kosovës i përkujton edhe njëherë Beogradit zyrtar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni apo të drejte mbi Republikën e Kosovës.

“Vendimi i sotëm e demaskon qasjen anti-evropiane të Serbisë ndaj Kosovës si dhe demonstron që Serbia vazhdon të ushqej politikat e shekullit të kaluar. Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka kontaktuar me faktorët relevant ndërkombëtar, duke ua bërë me dije që sjelljet e tilla janë të papranueshme”, thuhet në deklaratë.

Më tej kërkohet edhe trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë që të mos i mbajë zgjedhjet e paralajmëruara në Kosovë.

“Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë që mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me vlerat dhe parimet evropiane. Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron që tentimin i mbajtjes së zgjedhjeve të tilla do të jetë pa efekt legal juridik apo politik, dhe si të tilla do të trajtohen, pra si zgjedhje ilegale dhe pa legjitimitet demokratik”, vijon komunikata.

Në fund, ftohen të gjithë qytetarët serbë të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve demokratike kushtetuese të Republikës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG