Ndërlidhjet

Santorum fiton në Alabama dhe Misisipi


Santorum fiton në Alabama dhe Misisipi...
Santorum fiton në Alabama dhe Misisipi...

Kandidati i Partisë Republikane Rik Santorum ka fituar zgjedhjet në shtetet jugore te Alabamës dhe Misisipit të martën, duke forcuar ofertën e tij për të marrë nominimin e partisë për zgjedhjet presidenciale amerikane që mbahen në nëntor.

Por, fitoret e Santorumit, po ashtu, e lënë Partinë Republikane pa një kandidat favorit të qartë, i cili do të përballet me presidentin në detyrë Barak Obamën.

Para zgjedhjeve paraprake të së martës, Mit Romni supozohej se do të ishte kandidati kryesor i republikanëve për të marrë nominimin e partisë, por humbjet në Alabama dhe në Misisipi rrisin shanset për javë të tjera betejash me Santorumin. Kjo ndodh në kohën kur shumë në Partinë Republikane do të preferonin që të përqendroheshin në përgatitjet e të nominuarit për garën e nëntorit.

Santorum dhe kandidati tjetër i republikanëve Njut Gingriç janë parë si konkurrentë për votën e konservatorëve në Alabama dhe Misisipi. Analistët para votimit thoshin se vota e konservatorëve do të ndahej më dysh, dhe do t’i mundësonte kështu Romnit të korrte rezultate më të mira, mbase edhe të fitonte në të dy shtetet.

Rezultatet tregojnë se të dy garat ishin të ngushta, veçanërisht në Misisipi ku Santorum ka fituar me 33 për qind të votave, Gingriç ka marrë 31 dhe Romni 30 për qind. Sondazhet tregojnë se Santorum ka dalë më mirë në Alabama ku ka marrë 35 për qind, i pasuar nga Gingriç me 30 për qind dhe Romni me 28 për qind.

Humbja e Gingriçit ka rritur gjasat e largimit të tij të shpejtë nga gara. Ai ka fituar vetëm në dy shtete, njëra nga të cilat është Gjeorgjia, shteti që ai e përfaqëson në Kongres.

Po qe se Gingriçi largohet nga gara, mbështetësit e tij ka të ngjarë që të ndjekin Santorumin, që shihet më konservator sesa Romni. Santorum e ka përmendur këtë derisa bënte fushatë në Misisipi ku sugjeroi se Gingriçi do të duhej të largohej nga gara “për ta shndërruar atë në një garë mes dy personash jashtë jugut”.

Duke folur në Luizianë, një shtet tjetër konservator, në të cilin zgjedhjet do të mbahen më vonë gjatë këtij muaji, Santorum dukej i bindur në mbështetjen e krahut konservator të Partisë Republikane, mbështetje kjo, që sipas tij do të jetë thelbësore në mposhtjen e preisdentit Barak Obama.

Ne do të konkurrojmë kudo. Tani është koha që konservatorët të bëhen së bashku. Është koha të sigurohemi, se ne kemi gjasat më të mira për të fituar këto zgjedhje dhe shansi më i mirë për të fituar këto zgjedhje është që të nominohet një konservator që konkurron kundër Barak Obamës. Ne do ta mundnim atë, në çdo çështje”, ka thënë Santorum.

Duke folur para mbështetësve në Birmingem të Alabamës, Gingriç nuk ka dhënë asnjë shenjë se është i gatshëm që të heqë dorë nga gara, por ka shfrytëzuar rastin që të sulmojë imazhin e Romnit si kandidati kryesor i partisë në këtë fushatë.

Një nga gjërat që sot u vërtetua është se qëllimi i mediave elitare që ta paraqesin Romnin si kandidatin favorit, u rrëzua. Është fakt se në dy shtete, pothuaj 70 për qind e votave iu shkoi kandidatëve konservatorë. Ndërkaq, po që se je kandidati kryesor, dhe del i treti, atëherë nuk je edhe aq shumë kandidat favorit”, ka thënë Gingriç.

Për të siguruar nominimin e Konventës së partisë në muajin gusht në Trampa të Floridas, një kandidati i duhen votat e 1 mijë e 144 delegatëve.

Romni, me 450 delegatë, edhe më tej ka më shumë se dyfishin e numrit të delegatëve sa ka Santorum, por paraqitja e fuqishme e Santorumit në shtetet e perëndimit të mesëm dhe në shtetet jugore, ka pamundësuar që Romni të mbarojë garën në partinë e tij, për t’u përqendruar në mposhtjen e Obamës.(a.i.)
XS
SM
MD
LG