Ndërlidhjet

Komuna e Lipjanit, në vitin 2006 ka dhënë në shfrytëzim për 99 vjet 20 hektarë tokë në zonën e quajtur “Qendra Industriale”, e cila gjendet te magjistralja Prishtinë-Prizren dhe Prishtinë-Ferizaj.

Në vitin 2009, e njëjta komunë ka koncesionuar rreth 17 hektarësh të tjerë, nga të cilët kanë përfituar gjithsejt 17 kompani.

Brenda tre vjetësh, nga kjo komunë janë koncesionuar 37 hektarë tokë gjithsejt.

Shumica e operatorëve përfitues nuk kanë përmbushur detyrimet në bazë të kontratës, por ka kompani të cilave u është ndërruar pronari, gjë për të cilën Zyra e Prokurimit në Kuvendin Komunal të Lipjanit s’ka marrë informacion.

Të paktën kështu pohon shefi i Zyrës së Prokurimit, Ragip Zejnullahu.

Subjekt i këtij raporti është një parcelë prej, siç thuhet në kontratë, ½ e 3.81 hektarë toke në Konjuh të Lipjanit, me numrin kadastral P-71409036-00164 - 4.

Në tenderin e shpallur në vitin 2009, përfituese të shfrytëzimit të kësaj parcele kanë qenë dy kompani, “Punëtori” dhe "B-Ingjiniering".

Ndërkaq, si shfrytëzues i sipërfaqes prej rreth 4 hektarësh tokë, në fletën poseduese, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, në prezencën e tre punonjësve të zyrës për kadastër, figuron emri i Universitetit të Shkencave Mjekësore” Rezonanca”.

Veprimtaria e kompanive përfituese ka qenë shumë e shkurtër.

Kompania “Punëtori” sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është regjistruar prej datës 12.02.2009. Fillimisht si pronar ka qenë Luan Prenku, deri me datën 24.09.2010, dhe prej kësaj datë ai është larguar nga ky biznes.

Tani pronar është Universiteti i Shkencave Mjekësore, Rezonanca.

“Punëtori”, parcelën në shfrytëzim e ka marrë për hartimin dhe zbatimin e projektit të qendrës distributive farmaceutike.

Kurse, kompania tjetër, “B-Ingjiniering”, është shpërblyer për hartimin dhe zbatimin e projektit për ndërtimin e serave për prodhimin e perimeve të hershme.

Kjo kompani në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, figuron prej datës 23.03.2009.

Fillimisht si pronar dhe drejtor ka qenë Besim Smajli deri më datën 24.09.2010, saktësisht në të njejtën datë kur edhe ka zoti Prenku është larguar nga kompania “Punëtori”.

Edhe në këtë rast, pas kësaj date, si pronar figuron emri i Universitetit të Shkencave Mjekësore Rezonanca.


Komuna e Lipjanit nuk është njoftuar (?)


Ragip Zejnullahu, shef i Zyrës së Prokurimit në komunën e Lipjanit, citon kontratën (dokumentin e posedon redaksia), në të cilën thuhet se partneri privat nuk ka të drejtë t’ia jap pronën në shfrytëzim dikujt tjetër pa pëlqimin e autoritetit kontraktues.

Autoriteti kontraktues (Kuvendi Komunal), thuhet në kontratë, mbetet pronar i vetëm dhe i përhershëm.

Zejnullahu thotë se marrja e informacioneve nga Radio Evropa e Lirë, ka bërë që projekti të stopohet.

“Pas njoftimit të juaj, unë kam kërkuar që mënjeherë të stopohet kjo procedurë, sepse në këtë situatë, në bazë të ligjit për prokurim, nuk mund të jipet pa u bë ritenderim".

"Në rastin më të veçantë, nëse konsiderohet se është një projekt ambicioz dhe komuna ka nevojë për një projekt të tillë, me një vendim të Kuvendit mund të bëhet, ndryshe jo, dhe kam kërkuar që të stopohet kjo procedurë” ,
thotë Zejnullahu.

Për këtë rast është interesuar edhe kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja.

Sipas tij, nëse operatori i shpërblyer nuk arrin të realizojë projektin, ai mund të hyjë në bashkë-investim me dikë tjetër, por vetëm më pëlqimin e komunës.

E pëlqimin, thotë Buja, shfrytëzuesi tjetër e ka marrë në zyrën pronësore juridike, që sipas tij është e ligjshme. Ndërsa, për ndërrimin e veprimtarisë, Buja thotë se nevojitet pëlqimi nga zyra e prokurimit.

Ai nuk ka shpjegim pse nuk ka qenë e informuar me rastin Zyra e Prokurimit.

“Nuk e di pse nuk ka qenë e njoftuar (zyra), por Shërbimi pronësor jurik duhet të njoftojë zyrën e prokurimit, në rast se jepet pëlqimi. Ka procedura administarive që shpesh neglizhohen, nuk ndodh vetëm më shërbimin pronësor juridik edhe vendimet që merren nga Kuvendi nuk azhurohen në zyrën e kadastrës".

"Dhe kjo na shkakton probleme. Do të thotë janë procedura administrative që shpesh neglizhohen apo nuk njoftohen zyrë më zyrë. Vetëm në raste kur unë kërkoj raporte identifikohen problemet”
, tha Buja.


Komuna e Lipjanit është njoftuar (?)


Pronari i "Rezonancës", Ramadan Idrizaj, pranon se prona është e tij, pasi për këtë çështje, ai thotë se ka blerë aksionet e kompanisë “Punëtori”dhe “ B-Ingjiniering”, duke qenë se këta të fundit nuk kanë pasur kapital për realizimin e projektit.

Por, Idrizaj, pohon se e gjithë procedura është realizuar në mënyrë ligjore dhe se zyrtarët komunal janë njoftuar me kohë. Ai madje thotë se parcelën e ka përgjysmë më një kompani turke, por që nuk jep më shumë hollësi.

“Rezonanca”, nuk ka marrë pjesë as në procesverbalin e hapjes së tenderit.

“Po, Luan Prenku i ka shit aksionet tek unë . Ai është tërhequr sepse nuk ka pasur mjete dhe (projektit) i ka kaluar afati; e dyta, nuk ka pasur mundësi që të ndërtojë aty, dhe pastaj e kam marr unë”, thotë Idrizaj.

Radio Evropa e Lirë
Në çfarë procedurash e keni marrë, a ka qenë e njoftuar komuna?

Idrizaj: Patjetër, me leje, më pëlqim prej Kuvendit Komunal.

Radio Evropa e Lirë
A është dashur të paguhet shumë?

Idrizaj: Jo, jo në mënyrë simbolike ka përfunduar kjo, vetëm aksionet e tij i kam paguar dhe marrëveshjen e kam bërë në bazë të ligjit.

Zotin Prenku nga kompania “Punëtori” dhe zotin Smajli nga “B-Ingjiniering”, nuk arritëm t’i kontaktonim.

Pronari i Rezonancës, që tash zotëron të dyja parcelat, Ramadan Idrizaj, tregon se përveç qendrës farmaceutike është në fazën përfundimtare të projektit edhe për një veprimtari tjetër.

“Një depo farmaceutike dhe një spital gjeneral – spital i përgjithshëm do të ndërtohet aty. Projekti është bërë, është në përfundim dhe tash po presim të aplikojmë që të marrim lejen në Kuvendin Komunal, shpresojmë që në pranverë të fillojmë të ndërtojmë”, thotë Idrizaj.

Megjithatë, kryetari i Kuvendit Komunal të Lipjanit, Shukri Buja, thotë se javën e ardhshme do të mbajë një takim me bizneset përfituese të parcelave, dhe nëse projektet nuk realizohen, kontratat do të shkëputën.

Në këtë takim, Buja thotë, se do të ftohen tre shfrytëzuesit e parcelës në fjalë, pasi, siç thotë ai, komuna ende nuk ka shkëputur kontratat më kompanitë “Punëtori” dhe “B- Ingjiniering”.

Në rast të shkëputjes se kontratës, në marrëveshjen e kompanisë “Punëtori”, e lidhur me komunën e Lipjanit, thuhet se nëse Partneri Privat dështon në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje, autoriteti kontraktues do ta kthejë në shfrytëzim paluajtshmërinë.

“Nëse nuk gaboj, u është bërë ftesa Punëtorit, B- Ingjinieringut dhe Rezonancës, dhe nëse kanë probleme në realizimin e projektit duhet të ndërpritet kontrata. Dhe ata duhet të arsyetojnë pse nuk po realizohet projekti".

"Për ne, janë ata që e kanë përfituar projektin, ndërsa Rezonaca e ka marrë pëlqimin për investime aty, në bashkëpunim me ta. Ne raste të problemeve të tilla shkëputet kontrata”
, pohon Buja.

Zoti Buja, nuk e mohon mundësinë e keqpërdorimeve në këtë rast, por, sipas tij, nevojiten fakte për të dëshmuar një gjë të këtillë.

“A ka mundësi me pas korrupsion? Mundësitë gjithmonë ekzitojnë, por këtu duhet të faktohet; në qoftë se ka korrupsion, atëhëre duhet të shikohet se ku dhe si ka ndodhur”, thekson Buja.

Sido që të jetë, zona ku gjendet parcela e SH.P.K "Punëtori", "B- Ingjiniering" apo Rezonaca, nga përfaqësues të agjencive të patundshmërive, vlerësohet si një ndër sipërfaqet më të shtrenjta në territorin e Kosovës, pasi në atë pjesë afarojnë biznese të mëdha vendore.

Sipas tyre, një ari tokë, në magjistralen Prishtinë- Ferizaj, kushton nga 5 deri në 15 mijë euro, varësisht nga lokacioni dhe infrastruktura rrugore.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG