Ndërlidhjet

Janjiq: Mbase s'do të ketë zgjedhje serbe në Kosovë


Serbia - Dusan Janjic, President of the Ethnic Relations Forum in Belgrade, undated, 30Aug2008

Serbia - Dusan Janjic, President of the Ethnic Relations Forum in Belgrade, undated, 30Aug2008


Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Forumit për marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq tha se pozicioni i Serbisë dhe lidershipit të saj është shumë i dobët dhe se Beogradi është duke bërë përpjekje për të mos pranuar para opinionit publik se kurrë nuk do të ketë zgjedhje lokale serbe në Kosovë.





RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, a ka qenë i pritshëm vendimi i Serbisë që zgjedhjet t’i mbajë edhe në territorin e Kosovës dhe a ka gjasa që ky vendim t’i kthehet bumerang Serbisë kur bëhet fjalë për perspektivën e tij evropiane?

DUSHAN JANJIQ
Fillimisht, është e vërtetë që kryetarja e Parlamentit të Serbisë ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve edhe në Kosovë, por Beogradi ende nuk është duke i organizuar ato zgjedhje në Kosovë. Nuk pres që ato të organizohen që do të thotë se në ditët e ardhshme do të kemi një komunikim diplomatik në mes të Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare-veçanërisht Brukselit.

Ka gjasa që kjo të rezultojë me vendimin për të mos i organizuar zgjedhjet në Kosovë për dy arsye: Së pari, në disa nga komunat ku janë mbajtur zgjedhjet serbe një apo dy vite më parë nuk është koha e përshtatshme të përsëriten zgjedhjet, ndërsa për komunat e tjetra mund të emërohen trupa koordinues me shpjegimin e Beogradit që kjo të jetë një mënyrë për shtyrjen e zgjedhjeve-ky do të ishte shpjegimi për bashkësinë ndërkombëtare.

Por, shpjegimi për opinionin publik të vendit do të ishte se kjo është mënyra e vetme opër t’i mbajtur lidhjet me komunat serbe në Kosovë. Kjo është ajo që pres unë.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet në Kosovë i kanë kërkuar Brukselit që ta ndëshkojë Serbinë lidhur me vendimin për zgjedhjet. Çfarë në fakt mund të bëjë Brukseli?

DUSHAN JANJIQ
Kjo është diçka e zakonshme dhe është një përsëritje e praktikës së përdorur gjatë dy dekadave të fundit. Të gjitha palët janë duke bërë përpjekje që t’i forcojnë qëndrimet e tyre.

Në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës i ka dërguar një mesazh opinionit publik, ndërsa dëshiron të inkurajojë disa njerëz në Bruksel të ballafaqohen me përgjigjet eventuale që do të jenë të ndryshme nga Sllovakia dhe vendeve të tjera që s’e kanë njohur Kosovën. Por, qëllimi kryesor i një reagimi të tillë është të tregohet se Kosova është shtet i pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Janjiq, ju i përmendet disa trupa koordinues që mund të instalohen në komunat ku, sipas jush, nuk do të ketë zgjedhje. A do të thotë kjo se do të vazhdojnë të ekzistojnë strukturat paralele serbe; a do të ishte ky një mandat edhe për këto struktura?

DUSHAN JANJIQ
Po, kjo është në përputhje me ligjin serb për qeverisje lokale. Pra, bazuar në këtë mundësohet që në disa situata të komplikuara apo të jashtëzakonshme të emërohen këshillat e përkohshëm koordinues në komuna që do ta menaxhonin komunitetin lokal për një kohë të caktuar. Kjo është tërësisht në përputhje me ligjin serb dhe natyrisht se ato do të funksiononin me kapacitetet të mundshëm e jo aq të lartë.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të ishte kjo në përputhje me kërkesën e Bashkimit Evropian drejtuar Serbisë për të zhbërë strukturat paralele në Kosovë?

DUSHAN JANJIQ
Kjo nuk është në përputhje me praktikën e Bashkimit Evropian, por është në përputhje me ligjin serb dhe pjesërisht edhe me rezolutën 1244. Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejt me marrëveshjen e bërë ndërmjet Tadiqit dhe kancelarës së Gjermanisë se Serbia do të bashkëpunojë në eliminimin e strukturave paralele.

Por, shpjegimi për Gjermaninë do të jetë se me vendimin në fjalë do të bëhet një hap drejt eliminimit të ngadalshëm të strukturave paralele. Pra, do të ketë disa shpjegime për grupe të caktuara-një për opinionin publik në Serbi, një për Rusinë dhe një tjetër për Gjermaninë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, në fund të fundit mund të thuhet se Serbia po merr atë që dëshiron, apo jo?

DUSHAN JANJIQ
Në fund të fundit, mund të them se pozicioni i Serbisë dhe lidershipit të saj është shumë i dobët, ndërsa Beogradi është duke manovruar për ta shmangur një deklaratë dhënë publikut se kurrë nuk do të ketë zgjedhje lokale serbe në Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG