Ndërlidhjet

AKI pa mbikëqyrje parlamentare


Ilustrim
Ilustrim
Për më shumë se një vit, që kur është formuar Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ende nuk është shënuar ndonjë rezultat në drejtim të mbikëqyrjes së këtij organi të sigurisë.

Anëtarët e këtij Komisioni, thonë se janë ndërmarrë disa veprime, por ato nuk kanë pasur ndonjë sukses dhe, si rezultat i mosefikasitetit të punë së komisionit, objektivi kryesor që të kontrollojë dhe mbikëqyrë AKI-në, është ende shumë larg.

Zëvendëskryetari i parë i këtij komisioni, Fadil Demaku, nga Partia Demokratike e Kosovës, punën e deritashme të komisionit, për mbikëqyrjen e AKI-së, e shpjegon në këtë mënyrë:

“Duke pasur parasysh përvojën e paktë të vendit tonë sa i takon këtyre fushave, mendoj se në këtë legjislaturë komisioni ka bërë disa hapa konkretë në këtë çështje. Ne e kemi shfrytëzuar gjithë hapësirën ligjore sa i përket fushëveprimit të komisionit në drejtim të agjencisë dhe besoj që deri në një masë të mirë, është duke u bërë punë”.

Por, anëtari tjetër i këtij komisioni, po ashtu nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, konsideron se komisioni, në drejtim të vëzhgimit të agjencisë, nuk po arrin t’i përmbushë objektivat e vet.

“Unë kam deklaruar se ky komision nuk është marrë fare me mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe nuk ka trajtuar për vitin 2011 asnjë ligj, asnjë amendament dhe as që ka propozuar ndonjë ligj tjetër sa i përket fushëveprimit të komisionit. Këto kanë qenë vërejtjet e mia, që i janë adresuar kryetarit të komisionit, i cili nuk ka arritur t’i përmbushë objektivat si udhëheqës i komisionit. Ai ka devijuar në tërësi punën e komisionit për qëllime politike”, thotë Haxhiu.

Edhe anëtarët e tjerë të këtij komisioni nga radhët e partive politike opozitare bëjnë të ditur se komisioni ka bërë disa përpjekje në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës që të ketë qasje, gjë e cila, siç thonë ata, ka qenë e pamundur. Imri Ahmeti, anëtar i komisionit, nga Lidhja Demokratike Kosovës, thotë:

“Deri tash komisioni ka bërë disa përpjekje, por në esencë nuk ka mundur deri tash të nxjerrë një konstatim të saktë, përveç që ka pasur në raportim shefin e agjencisë. Pra, nuk kemi pasur mundësi të qasjes, as në dokumentacion, as të qasjes në punën e vetë kësaj agjencie për të nxjerrë një konstatim të saktë dhe të drejtë se në cilin nivel është zbatimi i ligjshmërisë”.

Një nga problemet më të mëdha në drejtim të mbikëqyrjes së AKI-së është edhe verifikimi i anëtarëve të komisionit rreth besueshmërisë së tyre për qasje të lirë dhe pa barriera sigurie në AKI, mundësi e cila ende nuk është legjitimuar.

Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është shumë i sigurt se mosdhënia e formularëve të verifikimit të besueshmërisë për qasje në AKI, të anëtarëve të këtij komisioni, është pengesa kryesore e realizimit të misionit parësor që ka ky komision. Për më tepër Ramadani thotë se komisioni, të cilit i takon, është në rrugën e dështimit.

“Për këtë janë dy arsye kryesore: e para ose ka pasur pengesa të pashpjeguara në verifikimin e sigurisë së deputetëve të këtij komisioni, që është obligim ligjor dhe askush nuk ka të drejtë ta bllokojë këtë proces. Ky proces deri tash ka qenë i bllokuar dhe nuk e dimë pse. Dhe, aspekti i dytë, fatkeqësisht është për shkak të karaktereve që e përbëjnë këtë komision, që vërtet kanë qenë problematike gjatë kësaj periudhe dhe kanë vendosur një ambient tepër të rëndë për të punuar brenda komisionit”, thekson Ramadani.

Ndryshe, komisioni, gjatë mbledhjes së të mërkurës, ka vendosur që të formojë një grup punues për mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë. Po ashtu, ky komisioni ka caktuar datën 27 mars si datë ku do të bëhet një vizitë në AKI.

Aktualisht, në Kosovë, i vetmi institucion legal i shërbimit informativ është AKI-ja. Kushtetuta e Kosovës parasheh që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë të zbulojë, hetojë dhe mbikëqyrë kërcënimet ndaj sigurisë në Republikën e Kosovës.
XS
SM
MD
LG