Ndërlidhjet

Obama, Kameron konfirmojnë tërheqjen nga Afganistani


Presidenti amerikan, Barak Obama dhe kryeministri britanik, Dejvid Kamerun, gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, 14 mars 2012.
Presidenti amerikan, Barak Obama dhe kryeministri britanik, Dejvid Kamerun, gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, 14 mars 2012.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe kryeministri britanik, Dejvid Kameron, kanë konfirmuar planet për tërheqjen e trupave nga Afganistani, ndërsa i kanë dërguar mesazh të ashpër Iranit për aktivitetet e tij bërthamore.

Në konferencën e përbashkët për gazetarë, pas takimit në Uashington, dy udhëheqësit kanë thënë se është bërë përparim i rëndësishëm në stabilizimin e Afganistanit. Obama ka thënë se në fuqi mbeten planet e njëjta, të cilat parashohin tërheqje të të gjitha trupave në fund të vitit 2014.

“Tranzicioni tashmë është në proces. Rreth gjysma e afganëve aktualisht jetojnë në zonat ku forcat afgane të sigurisë po marrin përgjegjësitë. Sot, kryeministri dhe unë kemi konfirmuar planin e tranzicionit, për të cilin jemi dakorduar me partnerët e koalicionit në Lisbonë”, ka thënë Obama.

Djegia e Kuranit në një bazë të Shteteve të Bashkuara në Afganistan, muajin e kaluar, dhe vrasja e 16 civilëve afganë nga një ushtar amerikan, fundjavën e kaluar, kishin rritur dyshimet për ritmin e tërheqjes.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania janë dy kontribuueset më të mëdha në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan.

Bisedimet e dy udhëheqësve janë fokusuar edhe tek Irani. Ky i fundit është goditur me sanksione të rënda ekonomike nga Perëndimi, për shkak të programit të tij bërthamor, për të cilin vetë Republika Islamike pohon se ka qëllime paqësore.

Obama ka theksuar se iranianët duhet të dinë se do të ketë pasoja “për të gjithë ata që injorojnë komunitetin ndërkombëtar”.

“Mendoj se iranianët duhet ta kuptojnë këtë, sepse bashkësia ndërkombëtare ka miratuar aq shumë sanksione. Pra, kemi aplikuar shumë mundësi që janë në dispozicion, për të shtyrë Iranin të ndërrojë kursin”, ka theksuar Obama.

Kameron i ka bërë thirrje Iranit t’i marrë seriozisht bisedimet e ardhshme me fuqitë botërore, në lidhje me aktivitetet e tij atomike, duke thënë se “asgjë nuk është jashtë tryezës” për zgjidhjen e krizës.

Dy liderët kanë folur edhe për krizën në Siri, ku shifrat e Kombeve të Bashkuara flasin për më shumë se 7,500 të vrarë në dhunën që ushtron regjimi i presidentit Bashar al-Asad kundër popullatës civile.

Kameron ka thënë se Rusia, e cila ka kundërshtuar aksionet e OKB-së kundër dhunës, duhet të ndryshojë kursin.

“Në rastin e Rusisë, mendoj se ne duhet të apelojmë edhe për interesat e saj. Nuk është në interesat e saj të ketë gjakderdhje, regjim brutal... Ironia është se njerëzit në Siri shpesh kanë menduar se rusët janë miqtë e tyre, ndërsa kanë pasur dyshime për shumë të tjerë në Perëndim. Tani, ata mund të shohin se Perëndimi do t’i ndihmojë ata, duke i bërë thirrje botës të veprojë ndaj problemeve të tyre. Ne duhet të sigurohemi se edhe Rusia do të bashkohet në këtë qëllim”, ka thënë Kameron.

Në pyetjen e gazetarëve nëse dy liderët kanë diskutuar për mundësinë e zonës së ndalim-fluturimit mbi Sirinë, ngjashëm si vitin e kaluar në Libi, Obama ka thënë se nuk e favorizon ndërhyrjen ushtarake.(v.t.)
XS
SM
MD
LG