Ndërlidhjet

Eksportet e naftës iraniane do të përgjysmohen


Rafineri e naftës në jug të Teheranit.
Rafineri e naftës në jug të Teheranit.
Në raportin e fundit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji thuhet se eksportet iraniane të naftës mund të reduktohen për 50 për qind në muajin korrik, kur sanksionet e Bashkimit Evropian të hyjnë në fuqi.

Agjencia tha se prodhimet e naftës së papërpunuar në Iran kanë rënë në 3.38 milionë fuçi në ditë muajin e kaluar, çfarë paraqet nivelin më të ultë të prodhimit në tre vjetët e fundit. Sipas burimit të njëjtë, eksportet kanë qenë nën 2 milionë fuçi, nga 2.6 milionë sa kanë qenë nëntorin e kaluar.

Kreu i sektorit të tregut dhe të industrisë, Dejvid Fajf, tha se me hyrjen në fuqi të sanksioneve evropiane, eksportet e naftës së Iranit do të bien në 800,000 fuçi në ditë.

“Irani do të kërkojë blerës për 800,000 deri në 1 milion fuçi në ditë. Reduktimet mund të jenë edhe më të mëdha se kaq”, tha ai.

Bashkimi Evropian, në muajin janar, ka miratuar ndalesa në blerje, transport, financim dhe sigurim të naftës iraniane, ndërsa kontratat e nënshkruara para kësaj periudhe do të vlejnë deri më 1 korrik.

Ministri iranian i Naftës, Rustam Kasemi, tha se llogaritjet e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji janë të pasakta dhe se “nuk ka rënie as të prodhimit, as të eksportit”.

Duke folur në Forumin Ndërkombëtar të Energjisë në Kuvajt, Kasemi hodhi poshtë humbjen e eksporteve të naftës në Evropë, duke thënë se “bota është mjaft e madhe dhe e mbushur me konsumatorë”.

Ai po ashtu tha se “varësia e Iranit nga të ardhurat e naftës ka rënë dukshëm në vitet e fundit”.

Koreja e Jugut dhe India kanë rritur blerjet e naftës iraniane.

Vendet e Perëndimit shpresojnë se sanksionet kundër Iranit, veçanërisht eksporteve të naftës, do të detyrojnë Teheranin të negociojë për programin e tij bërthamor, të cilin disa qeveri e shohin si hap drejt zhvillimit të armëve bërthamore.

Departamenti amerikan i Energjisë, në vitin 2010, ka thënë se eksportet e naftës së Iranit kanë arritur në rreth 73 miliardë dollarë dhe llogariten rreth gjysma e të ardhurave të qeverisë.
XS
SM
MD
LG