Ndërlidhjet

Fyle në Shkup, nis dialogu aderues me BE-në


Ilustrim

Ilustrim

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, ka arritur sot në Shkup, për të shënuar fillimin e dialogut aderues me Maqedoninë, i cili, siç thuhet, do t’i japë një impuls të ri reformave dhe përmbushjes së kritereve tjera në rrugën drejt integrimit të Maqedonisë në BE.

Ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, tha se një lloj i këtillë i dialogut nuk është vendosur më parë me asnjë shtet kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.

Dialogu i nivelit të lartë do të aplikohet me Maqedoninë në mungesë të zgjidhjes së çështjes së emrit.

Zëvendëskryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi, ka thënë se nisja e këtij dialogu shënon një kapitull të ri në raportet me BE-në.

“Dialogu i nivelit të lartë është një mundësi e veçantë për Maqedoninë që të përparojë në proceset e reformave dhe një kapitull i ri në raportet ndërmjet vendit tonë dhe Bashkimit Evropian. Përparimi në procesin e raporteve me Bashkimin Evropian është interes strategjik i të gjithë qytetarëve në Maqedoni”, ka deklaruar Arifi pas takimit me ambasadorin e BE-së.

Gjatë qëndrimit në Shkup, komisionari për zgjerim, Fyle, fillimisht do të takohet me zëvendëskryeministren Arifi, pastaj me kryeministrin Nikolla Gruevski si dhe me presidentin Gjorgje Ivanov.
XS
SM
MD
LG