Ndërlidhjet

Tregu potencial për prodhimet kosovare


Prishtinë...
Prishtinë...

Treg potencial për prodhuesit kosovarë mbetet tregu i Bashkimit Evropian, por pa anashkaluar rëndësinë e tregut rajonal, thonë zyrtarët e Qeverisë dhe njohës të çështjeve ekonomike.

Produktet kryesore që Kosova eksporton mbesin burimet natyrore, mineralet, produktet ushqimore, por edhe tekstilit, thonë zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë.

Valdrin Lluka, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Promovimin e Investimeve, thotë për Radion Evropa e Lirë, se treg kryesor për prodhuesit kosovarë mbetet ai i Bashkimit Evropian dhe tregu i CEFTA-s, treg ky, për të cilin Kosova ka marrëveshje për tregti të lirë, në të cilën përfshihen kryesisht vendet e Evropës Juglindore.

Lluka, ndërkaq pohon se të dhënat e partnerëve tregtarë të Kosovës për vitet e fundit tregojnë një tendencë në rritje të bizneseve kosovare, për t’u orientuar drejt tregut të Bashkimit Evropian.

Këto dyja faktikisht përbëjnë shumicën e tregut ku kompanitë vendore mund të eksportojnë. Normalisht, ne e kemi edhe preferenca tregtare me Amerikën, Japoninë dhe Norvegjinë. Mirëpo, përveç Amerikës, që tashmë disa kompani eksportojnë, Japonia dhe Norvegjia ende nuk janë tregje interesante për produktet kosovare. Në Amerikë ka pasur eksporte të pijeve joalkoolike dhe atyre alkoolike”, shprehet Lluka.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, ndërkaq tregon se Italia, India, Maqedonia, Gjermania dhe Shqipëria, mbesin pesë tregjet kryesore ku Kosova eksporton më tepër produkte, ndërsa Maqedonia konsiderohet si vendi kryesor sa i përket importit, kryesisht të naftës.

Italia merr pjesë me afër 80 milionë euro produkte kosovare, në Indi shkojnë mbi 40 mijë euro produkte, kryesisht janë të përbëra prej eksportit të mineraleve apo eksportit të metaleve, të cilat përdorën më tutje për riciklim”, thekson Stavileci.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike, thonë se niveli aktual i bashkëpunimit ekonomik në mes Kosovës dhe vendeve të rajonit, është relativisht i mirë, por jo në nivelin e kënaqshëm.

Ndërsa, sa i përket shteteve tjera, Naim Gashi, thotë se bashkëpunimi politik është kryesisht i mirë, por që vëllimi i shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimeve ekonomike, sipas tij, mbetet i ulët.

Unë jam ithtar i asaj që duhet të rritet niveli i bashkëpunimit ekonomik, sidomos më vendet e Bashkimit Evropian, dhe ai nivel i bashkëpunimit ekonomik, mos të jetë vetëm në kuadër të shkëmbimeve të produkteve dhe mallrave. Mirëpo, bashkëpunimi ekonomik të fokusohet kryesisht në fushën e inkurajimit të investimeve të jashtme nga vendet e Bashkimit Evropian”, thotë Gashi.

Sidoqoftë, Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i produkteve të huaja.

Rreth 80 për qind e mallrave të huaja importohen në Kosovë, ndërkaq afër 10 për qind e produkteve kosovare mund të kalojnë në tregjet e rajonit, apo të vendeve të Bashkimit Evropian.

Edhe statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjegjësisht departamentit të statistikave ekonomike për muajin janar të vitit 2012, tregojnë për nivel të lartë të importit.

Eksporti për muajin janar të këtij viti, sipas Agjencisë se Statistikave, kishte vlerën 18.7 milionë euro, ndërsa importi 131.5 milionë euro.
XS
SM
MD
LG