Ndërlidhjet

Zgjedhjet serbe në Kosovë "nuk janë të diskutueshme"


Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se “kryetarja e Kuvendit, Sllavica Gjukiq Dejanoviq, i ka nënshkruar zgjedhjet lokale në Kosovë dhe me këtë ka marrë fund çdo bisedë”.

Ai ka pranuar se ka pasur presion nga bashkësia ndërkombëtare që këto zgjedhje të mos nënshkruhen në territorin e Kosovës.

“Serbia absolutisht nuk do të flasë për atë nëse këto zgjedhje duhen ose jo mbajtur në Kosovë. Zgjedhjet janë mbajtur 12-13 vjet dhe nuk e di përse tani do të ishin të diskutueshme”, ka thënë Daçiq për mediat në Beograd.

Duke komentuar deklaratat e raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Jellko Kacin, se zgjedhjet serbe në Kosovë do të ishin problem, Daçiq ka thënë se kjo nuk është pyetje në të cilën duhet të përgjigjet Kacin.

“Qeveria jonë me siguri se nuk do të pyesë dikë nga jashtë për nënshkrimin e zgjedhjeve. Serbia është shtet dhe sovraniteti i saj duhet të respektohet”, ka thënë Daçiq.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Lubomir Kragoviq, ka planifikuar për sot seancën, në të cilën do të diskutohet për zgjedhjet lokale në Kosovë.
XS
SM
MD
LG