Ndërlidhjet

Rusia e Kina "të mbështesin rezolutën për Sirinë"


Idlib, Siri

Idlib, Siri

Një koalicion prej 200 vëzhguesve të të drejtave të njeriut dhe grupeve të ndihmës i ka bërë thirrje Rusisë dhe Kinës të mbështesin rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do t'i bënte presion regjimit sirian për t’i dhënë fund gjakderdhjes njëvjeçare.

Deklarata e publikuar të enjten, në përvjetorin e parë të shpërthimit të protestave kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad, është nënshkruar nga grupet, përfshirë Human Rights Watch-in dhe Federatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Rusia, mbështetëse dhe furnizuese me armë e Sirisë, së bashku me Kinën kanë bllokuar disa përpjekje të Perëndimit dhe Ligës Arabe për të miratuar rezolutën që dënon dhunën në Siri.

Deklarata e grupeve të të drejtave po ashtu i bën thirrje regjimit sirian “të ndalojë shkeljen e ligjit ndërkombëtar, arrestimet arbitrare dhe torturat, si dhe të garantojë qasjen urgjente të punëtorëve të ndihmës, gazetarëve dhe monitoruesve të të drejtave civile”.

Që nga shpërthimi i protestave antiqeveritare në Siri, një vit më parë, Kombet e Bashkuara thonë se rreth 8,000 persona, shumica nga ta civilë, kanë humbur jetën në trazira.

Autoritetet siriane kanë fajësuar “grupet e armatosura terroriste” për dhunën.
XS
SM
MD
LG