Ndërlidhjet

Duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit - këto janë vlerësimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndërsa në Kosovë, zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik thonë se, sipas hulumtimeve, rreth 500 mijë njerëz në vendin tonë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Megjithatë, Kosova ka një Ligj anti-duhan, zbatimi i të cilit mbetet problematik. Dhe, si rrjedhojë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë iniciativë për ndryshimin e ligjit.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se institucioni në fjalë, është në proces të hartimit të një drafti të ri, për kontrollin e duhanit, ku në fund të këtij muaji edhe do të dërgohet në Qeverinë e Kosovës.

“Esenca e ndryshimeve të Ligjit për duhanin lidhet drejtpërdrejt me hapësirat publike ku ndalohet pirja e duhanit si, vendet e punës, institucionet shëndetësore, institucionet edukativo-arsimore, vendet ku zhvillohen aktivitetet rekreative, të jenë të liruara 100 për qind nga duhanpirja”, bën të ditur Hoti.

Edhe Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë( KADC), po merr pjesë në ndryshimin e Ligjit për duhanin. Shkumbin Spahija, zyrtar në këtë organizatë, pohon se iniciativa për ndryshim ka ardhur si pasojë e moszbatimit të Ligjit për duhanin, në ndarjen prej 70 për qind pa duhan dhe 30 për qind ku lejohet pirja e duhanit.

“Në kuadër të KADC-së, është themeluar një koalicion anti-duhan, 100 për qind në hapësira publike, e që i ka 17 anëtarë dhe në draft-memorandumi që është nënshkruar, kanë qenë të përfshira shumë institucione, si dhe shumë profesionistë shëndetësorë. Ne kemi pasur bashkëpunim të ngushtë me monitorimin që i ka bërë KADC-ja inspektoratit dhe iniciativa për ndryshim të ligjit për 100 për qind pa duhan, ka ardhur si pikë e parë, për shkak të vështirësisë së zbatimit të ligjit nga inspektorati sanitar”, pohon Spahija.

Por, kryesues të Shoqatës së kafe-bareve dhe restoranteve të Prishtinës, mendojnë se nëse bëhen ndryshime në Ligjin kundër duhanit, të shkohet nëpër faza, e jo të ndalohet 100 për qind pirja e duhanit sikur nëpër institucione, po ashtu edhe në kafeteri. Leonora Henci, kryetare e kësaj shoqate, jep më shumë hollësi:

“Pronarët nuk mund ta luajnë rolin e inspektorit, nuk mund t’iu ndalosh klientëve dhe është e vështirë t’i kontrollosh, andaj edhe nuk është duke u zbatuar sa duhet. Nëse bëhen ndryshime, unë propozoj të kalohet nëpër faza, siç ka ndodhur edhe në vendet perëndimore, për shkak se dëmtohet biznesi nëse ndalohet 100 për qind pirja e duhanit. Pastaj, dikush e respekton e dikush jo, sepse duhanpirësit shkojnë aty ku pihet duhani”, thotë Henci.

Por, Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë, deklaron se në fund të muajit mars ligji do të dalë në shqyrtim publik, ku edhe do të mund të merren mendime rreth ndryshimit të ligjit, si nga subjektet e ndryshme, po ashtu edhe nga grupe interesi, e publiku.

“Do të jetë një sfidë, nëpër të cilën kanë kaluar edhe shtetet tjera, por duke e parë nevojën që shëndeti i popullatës të mbrohet nga duhanpirja pasive dhe ajo aktive, Ministria e Shëndetësisë ka filluar këtë fazë. Me ligjin e ri do të shkohet që të mos pihet duhani 100 për qind. Gjatë këtij muaji ky draft do të hartohet dhe do të dërgohet në Qeveri dhe më pastaj në Parlament për miratim”, sqaron Hoti.

Ndërkaq, Shkumbin Spahija thotë se në ligj janë bërë ndryshime edhe në reklamimin e duhanit dhe janë sqaruar brenda disa neneve në ligj, që në vendet publike nuk guxon të reklamohet duhani. Spahija mendon se mbështetja nga Kuvendi për miratimin e këtij ligji nuk do të mungojë.

“Unë besoj se do të gjejmë përkrahje nga Parlamenti dhe të zbatohet ky ligj, sepse dihen pasojat e duhanit, dhe është shkaktari më i madh i sëmundjeve, por që mund të parandalohet”, thekson Spahija.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, tashmë kanë deklaruar se të dhënat nga hulumtimet e bëra për duhanin, tregojnë se 20 për qind të grave shtatzëna konsumojnë duhan në mënyrë aktive, derisa 60 për qind në mënyrë pasive.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG