Ndërlidhjet

logo-print

Maqedonia nis dialogun aderues me BE-në


Komisionari i BE-së, Shtefan Fyle, në Maqedoni.

Komisionari i BE-së, Shtefan Fyle, në Maqedoni.

“Atë që po e fillojmë sot(e enjte) është proces gjithëpërfshirës, politikë aktive e dialogut midis nesh dhe është kornizë inkluzive për reformat, të cilat do të jenë në dobi për të gjithë qytetarët”, me këto fjalë komisionari i BE-së, Shtefan Fyle, shënoi fillimin e dialogut para-qasës me Maqedoninë, me çka pritet t`u jepet një impuls të ri reformave dhe përmbushjes së kritereve tjera në rrugën drejt integrimit të Maqedonisë në BE.

Diplomati Fyle theksoi se Komisioni Evropian është i bindur se e ardhmja e Maqedonisë është në Bashkimin Evropian.

“Dëshirojmë të punojmë bashkërisht me ju që anëtarësimi në BE të bëhet realitet. Ju siguroj se jam i përkushtuar në mbështetjen e procesit të reformave të vendit tuaj. Unë jam i bindur se e ardhmja e Maqedonisë është në BE dhe ne, së bashku, mund të arrijmë përparim në realizimin e reformave, si dhe përmbushjen e kritereve që e ofrojnë vendin kah BE-ja”, u shpreh Fyle.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, tha se Qeveria, të cilën e drejton ai, ka vullnet të fuqishëm politik që të shënojë rezultate pozitive duke nënvizuar se shpreson se kjo përpjekje do të valorizohet në raportin e progresit të KE-së për 2012-n.

"Jam i bindur se dialogu inkuadrues i nivelit të lartë do të jetë një instrument i dobishëm për dinamizimin e rrugës së Maqedonisë për inkuadrim drejt BE-së dhe se do t'i japë dukshmëri më të madhe perspektivës evropiane dhe përkatësisë së Republikës së Maqedonisë", tha Gruevski.

Ai njëherësh theksoi se synim i Maqedonisë mbetet caktimi i datës për fillimin e negociatave brenda këtij viti sa më shpejt të jetë e mundur.

Ilustrim

Ilustrim

“Jemi të vetëdijshëm se kjo nuk do të ndodhë brenda natës. Na pret punë e madhe, prandaj me këtë dialog do t'u japim mbështetje euro-integrimeve, jo me qëllim që t'i substituojmë negociatat inkuadruese, por t'i shfrytëzojmë si urë deri te negociatat, të cilat në mënyrë të pashmangshme do të vijnë", theksoi Gruevski.

Pesë sferat kyçe, që janë harmonizuar bashkërisht, të cilat janë pranuar me dialogun e nivelit të lartë, janë qeverisja e së drejtës, administrata publike, liria e mediave, legjislacioni zgjedhor dhe ekonomia funksionale e tregut.

Krahas Planit të përbashkët Veprues, do të formohen grupe të punës, ndërsa do të organizohen edhe takime të ekspertëve për pesë sferat kyçe.

Në takim morën pjesë më shumë ministra të Qeverisë nga dikasteret në seritë e theksuara të reformave, si dhe përfaqësues të Delegacionit të Komisionit Evropian në Shkup.

Euro-komisari Shtefan Fyle, të enjten paraprakisht realizoi takim me zëvendëskryeministren për Çështje Evropiane, Teuta Arifi, ndërkohë që do të takohet edhe me liderët e partive politike, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Një lloj i këtillë i dialogut nuk është vendosur më parë me asnjë shtet kandidat për anëtarësim në bllokun evropian. Dialogu i nivelit të lartë aplikohet me Maqedoninë në mungesë të zgjidhjes së kontestit për çështjen e emrit me Greqinë, që pengon procesin e integrimit të Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG