Ndërlidhjet

Senati i shqyrton raportet tregtare me Rusinë


Kryesuesi i Komitetit të Senatit për Financa, Maks Bokës.
Kryesuesi i Komitetit të Senatit për Financa, Maks Bokës.
Komiteti i Financave i Senatit të Shteteve të Bashkuara e ka mbajtur një seancë dëgjimi për shqyrtimin e normalizimit të përhershëm të marrëdhënieve tregtare me Rusinë.

Për këtë çështje janë angazhuar administrata e presidentit Barak Obama dhe biznesmenët.

Por, është shtruar çështja e ndjeshme e gjendjes së të drejtave të njeriut në Rusi.

Kryesuesi i Komitetit të Senatit për Financa, Maks Bokës, demokrat nga Monatana, ka kërkuar që Komiteti ta tërheq amandamentin, i cili i ndalon marrëdhëniet e përhershme tregtare normale, para se Rusia të bëhet anëtare fuqiplotë e Organizatës Botërore të Tregtisë, këtë pranverë.

Legjislacioni i njohur si Amandamenti Xhekson – Vanik, është një dokument i periudhës së Luftës së Ftohtë, që nuk i lejon marrëdhëniet e përhershme normale, të njohura me shkurtesën PNTR.

Zoti Bokës tha se tërheqja e këtij legjislacioni do të ishte në të mirë të ekonomisë aktualisht të ndjeshme të Shteteve të Bashkuara.

Sipas tij, kjo do ta dyfishonte vëllimin e eksportit amerikan në Rusi, që aktualisht është afro 9 miliardë dollarë në vit.

Mëtutje, Maks Bokës, theksoi:

Nëse Shtetet e Bashkuara e kalojnë legjislacionin PNTR me Rusinë, eksporti amerikan në Rusi projektohet të dyfishohet brenda pesë viteve. Nëse Kongresi nuk e kalon PNTR-në, Rusia gjithsesi do të bëhet anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe eksportuesit amerikanë do të humbin ndaj rivalëve të tyre kinezë dhe evropianë”, tha Bokës.

Me mbështetjen nga presidenti amerikan, Barak Obama, Rusia, vitin e kaluar, e ka kompletuar synimin e saj 18 vjeçar për anëtarësim në OBT.

Gjatë muajve të ardhshëm Duma ruse do ta ratifikoj anëtarësimin.

Nëse Shtetet e Bashkuara nuk i tërheqin barrierat e tyre tregtare, atëherë nuk do të kenë përfitime nga tarifat e reduktuara, që i sjell hyrja e Rusisë në OBT.

Ronald Pollet, shef i kompanisë Gjeneral Elektrik në Rusi, dhe njëri prej udhëheqësve amerikanë të bizneseve, që mori pjesë në dëgjim, tha se normalizimi i raporteve tregtare me Rusinë, do ta trefishoj shitjen e kompanisë së tij në Rusi, deri në vitin 2020.

Megjithëqë pak ligjvënës amerikanë i kanë hedhur poshtë avantazhet ekonomike, që do të krijoheshin me tërheqjen e legjislacionit, shumë ligjvënës ishin hezitues ta bëjnë këtë, pa implementimin e masave të reja, për ta mbajtur Moskën përgjegjëse për gjendjen problematike të të drejtave të njeriut në Rusi.

I konceptuar në vitin 1974, Amandamenti Xhekson – Vanik, ishte miratuar për të bërë presion në ish Bashkimin Sovjetik, për t’i tërhequr kufizimet e imigrantëve hebrenjtë. Duke pasur parasysh se ky legjislacion, në masë të madhe, e ka arritur qëllimin, parimet e tij ishin anashkaluar nga shumë administrata. Megjithatë, ai vazhdon të ketë rol simbolik, duke e përfaqësuar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut në Rusi.

Disa ligjvënës amerikanë janë bazuar në Aktin për Përgjegjësinë e Sundimit të Ligjit Sergei Magnicki, i cili kishte shkaktuar zemërim në Kremlin, duke e parë si këmbim për tërheqjen e Amandamentit Xhekson – Vanik.

Me këtë Aktin Magnicki nuk lejohet dhënia e vizave dhe bllokohet pasuria në Shtetet e Bashkuara, e afro 60 zyrtarëve të Rusisë, të implikuar në procesin dhe në vdekjen e avokatit rus, Sergei Magnicki, në paraburgim, në vitin 2009.

I ndjeri Magnicki, që ishte marrë në shënjestër pasi e kishte zbuluar skemën në të cilën zyrtarët e lartë përpiqeshin të mashtrojnë qeverinë e Rusisë, është shndërruar në një simbol ndërkombëtar të luftës kundër korrupsionit dhe dështimit të të drejtave të njeriut në Rusi.

Lidhur me këtë rast, në Moskë janë dënuar vetëm dy zyrtarë të nivelit të ulët.

Senatori demokrat nga Nju Xhersi, Robert Menendez, në diskutimin e tij, pos tjerash, tha:

Ajo për të cilën unë shpresoj se ne do të shohim nga komuniteti i biznesit, që duket se mungon, është qasja në dy binarë, e cila i merr parasysh nevojat dhe shqetësimet e secilës palë, ku ne e gjejmë mënyrën për të ecur përpara për tërheqjen e Amandamentit Xhekson – Vanik, por po ashtu të gjendet mënyra për të ecur përpara në përpjekjet për përmirësimin e situatës së të drejtave të njeriut në Rusi. Ne na duhet një legjislacion, si ai i Sergej Magnickit, për shembull, që dërgon mesazh te Rusia, se ne jemi serioz lidhur me të drejtat e njeriut”, tha senatori Menendez.

Personalitetet opozitare ruse, Aleksej Navalni, Boris Njemcov dhe të tjerët, janë angazhuar për tërheqjen e amandamentit, duke thënë se me këtë do të ndihmohet modernizimi i Rusisë në aspektin ekonomik. Por, ata po ashtu, kanë thënë se Akti Magnicki do të ndihmoj që të kihen parasysh shkeljet e të drejtave të njeriut në Rusi. (f. b.)
XS
SM
MD
LG