Ndërlidhjet

Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, rrezikojnë dialogun


Atifete Jahjaga, foto nga arkivi
Atifete Jahjaga, foto nga arkivi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i ka dërguar një letër presidentit të Këshillit të Evropës, Herman von Rompuj, përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Kethrin Eshton dhe përfaqësuesve të pesë shteteve, SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, pas vendimit të Republikës së Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

Ajo ka shprehur “shqetësimin e thellë me paralajmërimet e Republikës së Serbisë për të mbajtur zgjedhjet e saj lokale edhe në territorin e Republikës së Kosovës, me të cilat shkel sovranitetin e shtetit, sfidon fuqishëm integritetin territorial dhe provokon destabilizimin e Kosovës".

"Republika e Kosovës nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që drejtojnë strukturat paralele brenda territorit tonë, që të organizojnë çfarëdo zgjedhjesh kudo qoftë në Republikën e Kosovës”.

Në një komunikatë të lëshuar nga kabineti i saj, Jahjaga mes tjerash ka thënë se “institucionet e Republikës së Kosovës i pranojnë standardet ndërkombëtare se qytetarët me shtetësi të dyfishtë gëzojnë të drejtën për të votuar në zgjedhje nacionale dhe ne shprehim vullnetin tonë për të respektuar këto të drejta”.

“Mbajtja e zgjedhjeve të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës shënon një kthim prapa të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Kosovës, që kanë punuar shumë në dy dekadat e fundit për të rikthyer normalitetin në rajon".

"Është kthim prapa i progresit të përbashkët të arritur me aq shumë mund në tejkalimin e dallimeve të së kaluarës, progres i cili ka hapur rrugën drejt integrimeve në BE për vendet tona respektive dhe qytetarët e rajoni”,
citohet të ketë thënë Jahjaga, në letrën e saj.

Duke vlerësuar se paralajmërimi i fundit nga Serbia ka shkaktuar tensione në mesin e qytetarëve të Kosovës, presidentja e Republikës ka thënë se “tolerimi i këtij akti, gjithashtu rrezikon dialogun e ndihmuar nga BE-ja dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke rrezikuar ndalimin e këtij procesi të rëndësishëm për të ardhmen e gjithë rajonit”.

Letra e zonjës Jahjaga përfundon me një thirrje për gjithë bashkësinë ndërkombëtare për një vendosmëri në moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. (a.v.)
XS
SM
MD
LG