Ndërlidhjet

logo-print

Arrestohet Xhorxh Klluni


Aktori Xhorxh Klluni - arkiv

Aktori Xhorxh Klluni - arkiv

Aktori Xhorxh Klluni është arrestuar në protestat para Ambasadës së Sudanit në Uashington dhe me pranga në duar është dërguar në polici, për t’u marrë në pyetje.

Përveç yllit të Hollivudit, policia ka arrestuar edhe tre protestues të tjerë “pas tre paralajmërimeve verbale për t’u larguar nga ambasada”, shkruajnë mediat amerikane.

Klluni dhe grupi i aktivistëve akuzojnë presidentin sudanez, Omar al-Bashir, se ka shkaktuar krizë humanitare, duke ndaluar shpërndarjen e ndihmave në zonën e malit Nuba, në kufi me Sudanin Jugor.

Klluni u ka thënë gazetarëve se do që të tërheqë sa më shumë vëmendjen e opinionit publik, me synim që populli i Sudanit të ndihmohet sa më parë.

“Nëse në 3-4 muajt e ardhshëm nuk ndërmarrim hapa vërtet seriozë, do të kemi katastrofë të vërtetë humanitare”, ka thënë Klluni, i cili në protesta ka qenë i shoqëruar nga babai i tij dhe disa kongresistë amerikanë.

Aktori i Hollivudit, javën e kaluar, ka vizituar rajonin jostabil ndërmjet Sudanit dhe Sudanit Jugor, ku ka biseduar me banorët lokalë. Këta të fundit kanë thënë se janë të detyruar të fshihen në shpella për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore të ushtrisë sudaneze.
XS
SM
MD
LG