Ndërlidhjet

Rënia e eksportit - pasojë e krizës në Eurozonë


Ilustrim
Ilustrim
Eksporti në muajin janar 2012 kishte vlerën 18.7 milionë euro, që sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka shënuar një rënie prej 17.9 për qind krahasuar me janarin e vitit 2011.

Kjo rënie e eksportit, sipas përfaqësuesve të biznesit, ka rritur edhe më shumë deficitin e lartë tregtar.

Duke iu referuar të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të cilat tregojnë për rënie të eksportit, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thekson se shkaqet kryesore të rënies së eksportit janë politikat e disfavorshme ekonomike për krijimin e kushteve për një konkurrencë të mirëfilltë në treg.

“Një arsye është se ka qenë moti shumë i lig dhe qarkullimi i transportit ka qenë i vështirësuar, po ashtu ka probleme të ekonomisë së Eurozonës dhe tjetra është se politikat tregtare të Kosovës nuk janë të favorshme dhe kanë një fuqi konkurruese në tregjet rajonale dhe ato të Eurozonës”, thotë Shahini.

Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të rritur eksportin, sipas Agim Shahinit, janë të pamjaftueshme krahasuar me përpjekjet që bëjnë vendet e rajonit. Shahini kërkon nga institucionet e Kosovës që të bëjnë reforma të politikave për eksport dhe subvencion të prodhimtarisë vendore.
Përpjekjet e qeverive të tjera regjionale janë shumë më të mëdha duke i përkrahur me subvencione për eksportin


“Përpjekjet e qeverive të tjera regjionale janë shumë më të mëdha duke i përkrahur me subvencione për eksportin dhe kjo bën që tregu i Kosovës të jetë i vërshuar nga importi i produkteve me çmime më të volitshme - ç’gjë bën që produktet e Kosovës të mos jenë konkurrente në tregjet e Eurozonës”, thekson Shahini.

Sidoqoftë, Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i produkteve të huaja.

Rreth 80 për qind e mallrave të huaja importohen në Kosovë, ndërkaq afër 10 për qind e produkteve kosovare mund të kalojnë në tregjet e rajonit, apo të vendeve të Bashkimit Evropian.

Edhe statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjegjësisht Departamentit të Statistikave Ekonomike për muajin janar të vitit 2012, tregojnë për nivel të lartë të importit.

Eksporti për muajin janar të këtij viti, sipas Agjencisë së Statistikave, kishte vlerën 18.7 milionë euro, ndërsa importi 131.5 milionë euro.

Ndërkohë, zëdhënësja në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Arta Istrefi, thotë se në rënien e eksportit ka ndikuar moti i lig që ka mbizotëruar gjatë muajve të dimrit.

“Muaji janar i këtij këtij viti ka shënuar një rënie të eksportit prej 17.9 për qind. Kjo ka ardhur si rezultat e motit të lig, kur dihet se në muajin janar kanë qenë disa javë ku ka mbretëruar një mot me temperatura të ulëta dhe ka pamundësuar që të bëhet eksporti, ashtu siç ishte planifikuara nga disa kompani”, thotë Istrefi.


Rritja e eksportit, sipas Arta Istrefit, është njëra nga sfidat më të mëdha që ka Kosova. Ajo thotë se janë duke u mundur që të ndërmarrin masat e nevojshme që të rrisin eksportin. Sipas Istrefit, MTI-ja është duke punuar që t’iu mundësohet bizneseve të zhvillojnë veprimtarinë e tyre me një kosto më të ultë, që më pastaj të mund ta rrisin eksportin.

Disa prej angazhime që jemi duke i bërë është mundësia e qarkullimit të lirë në të gjitha vendet e CEFTA-s. Tani është bërë edhe rikthimi i preferencave tregtare dhe tani prodhuesit kosovarë mund të kenë mundësi për eksport në vendet e Besë, pa taksë doganore dhe iu mundëson që të jenë produkte konkurruese në vendet e BE-së”, shprehet Istrefi.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, eksportin e Kosovës e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, produktet minerale, produktet bimore, ushqimet e përgatitura etj.
XS
SM
MD
LG