Ndërlidhjet

Kosovë: Dënohet sulmi ndaj Ambasadës së Maqedonisë


Pamje nga një mbledhje e qeverisë së Kosovës
Pamje nga një mbledhje e qeverisë së Kosovës
Ministria e punëve të jashtme e Kosovës e ka dënuar sulmin ndaj Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë.

Përmes një komunikate për media, ministria e konsideroi “tërësisht të papranueshëm dhe në dëm të raporteve miqësore mes dy shteteve” këtë akt “vandal”, ndërsa u bëri thirrje organeve të hetuesisë që “sa më parë të zbardhin rastin dhe të vënë para organeve të drejtësisë kryerësit e këtij akti të ulët”.

“Ministria e punëve të jashtme e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e fuqishëm të institucioneve të shtetit për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Republikën e Maqedonisë”, theksohet në komunikatë.

Bazuar në njoftimet e Policisë së Kosovës, Ambasada e Maqedonisë në Prishtinë ishte sulmuar të premten mbrëma me koktej molotovi.

“Në bazë të informacioneve të para policore dhe kontaktit me zyrtarë të ambasadës maqedonase dyshohet të kenë qenë të përfshirë në rast tre persona të dyshuar me një automjet ngjyrë e bardhë, e cila dyshohet të ketë qenë e tipit Toyota”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia bëri të ditur se “është duke punuar intensivisht për zbardhjen e rastit dhe është vënë në kërkim të personave të dyshuar”, ndërsa njoftoi se nuk është raportuar për persona të lënduar dhe as për dëme materiale.
XS
SM
MD
LG