Ndërlidhjet

logo-print

Sa është e gatshme ushtria afgane?!

  • RFE /RL

Ushtria Kombëtare e Afganistanit

Ushtria Kombëtare e Afganistanit

Në letër, Ushtria Kombëtare e Afganistanit duket mjaft e fortë për të siguruar vendin menjëherë.

Forca ka një personel prej 173,000 ushtarësh dhe duhet të arrijë numrin 195,000 në fund të vitit 2013.

Por, nëse kjo ushtri është sot forcë e madhe, pas viteve e viteve rritjeje të ngadaltë, niveli i saj i trajnimit dhe efektivitetit është më pak i sigurt.

Një raport për ushtrinë dhe policinë, i publikuar në qershor të 2010-s nga zyrtarë amerikanë të Inspektoratit Special për Rindërtimin e Afganistanit, ka zbuluar korrupsion dhe abuzime me drogë në mesin e forcave afgane.

Raporti sugjeronte se vetëm 23 për qind e ushtarëve afganë janë të aftë për të punuar pa mbikëqyrje. I njëjti ka gjetur se në muajin para se të lëshohej raporti, 12 për qind e ushtarëve kanë munguar pa leje.

Që atëherë, megjithatë, ka pasur përmirësime.

Misioni trajnues i NATO-s në Afganistan, në gusht të vitit të kaluar, ka thënë se cilësia e rekrutëve është përmirësuar, pas rritjes së pagave dhe përmirësimeve në sistemin e pagesës.

Pjesëtar i Njësisë Speciale afgane...

Pjesëtar i Njësisë Speciale afgane...

Misioni trajnues ka thënë se 90 deri në 95 për qind të rekrutëve të rinj janë në gjendje të kalojnë testin për kualifikim në përdorimin e armëve. Kjo krahasohet me vetëm 25 për qind në vitin paraprak.

Xhoshua Foust, ekspert rajonal në Projektin e Sigurisë Amerikane në Uashington, e vlerëson në këtë mënyrë Ushtrinë Kombëtare të Afganistanit:

“Ushtria ka bërë, vërtet, punë të mirë me marrjen e rekrutëve. Sfida në këtë është se, edhe nëse ata janë më të mirë sesa kanë qenë në vitin 2008 apo 2009, ju ende nuk keni shumë njësi që mund të operojnë të pavarura”.

Sipas tij, forcat afgane po kryejnë gjithnjë e më shumë operacione në zonat që kontrollojnë vetë, por, prapëseprapë, mbeten të varura nga trupat e huaja në shumë gjëra.

“Ata janë krejtësisht të varur nga Shtetet e Bashkuara ose NATO-ja në logjistikë, në planifikim, në inteligjencë, në mbështetje ajrore, në forcat për reagim të shpejtë. Pra, ka shumë gjëra, sipas të cilave është iluzion të mendohet se ata janë të vetëmjaftueshëm kur vërtet nuk janë”, thotë Foust.

Komandantët e lartë të Shteteve të Bashkuara në Afganistan pranojnë se niveli i përgjithshëm i ushtrisë mbetet larg nga standardet perëndimore.

Por, megjithatë, thonë se niveli i forcave speciale të Ushtrisë së Afganistanit po përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme.

Një problem me të cilin përballet Ushtria Kombëtare e Afganistanit është edhe infiltrimi nga talibanët.

Ushtria Kombëtare e Afganistanit...

Ushtria Kombëtare e Afganistanit...

Rreth 70 anëtarë të forcave që udhëhiqen nga NATO-ja janë vrarë në 42 sulme të brendshme, nga maji i vitit 2007 deri në janar të këtij viti. Vrasjet tregojnë se ushtrisë afgane i duhet të bëjë më shumë për të zhvilluar një sistem efektiv të verifikimit, që do t’i mbante jashtë “agjentët e fjetur”.

E gjithë kjo bën të mendohet nëse ushtria afgane është në gjendje të mbrojë Afganistanin, njëjtë sikur të caktohet nëse gota është gjysmë e mbushur, ose gjysmë e zbrazur.

Optimistët mund të marrin zemër nga fakti se forcat ndërkombëtare kanë qenë në gjendje të dorëzojnë përgjegjësitë e sigurisë tek Armata Kombëtare, në gjysmën e vendit.

Pesimistët mund të kapen për faktin se zonat më konfliktuoze mbeten përgjegjësi e trupave të huaja, sidomos në lindje dhe në jug.

Ajo për çfarë pajtohen të dyja palët është se prova e vërtetë për Ushtrinë Kombëtare të Afganistanit nuk ka ardhur ende dhe, kur të vijë, e ardhmja e Afganistanit do të varet nga rezultatet.(v.t.)
XS
SM
MD
LG