Ndërlidhjet

Në Kosovë, vetëm zgjedhjet parlamentare të Serbisë?!


Mitrovicë - foto arkivi
Mitrovicë - foto arkivi
Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara nuk kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë, shkruajnë sot mediat në Beograd.

Mirëpo, sipas burimeve të njëjta, për zgjedhjet lokale, Perëndimi mendon se “janë punë ekskluzive e Prishtinës”, kështu që tendenca e mbajtjes së tyre njëkohësisht me zgjedhjet parlamentare, pothuajse është e sigurt se do të bënte që të mos mbahen asnjëra palë e zgjedhjeve.

Sipas gazetës “Blic”, që mbështetet në burime të sigurta, sipas të gjitha gjasave, autoritetet e Beogradit do të vendosin që zgjedhjet lokale të mos organizohen në Kosovë, sepse me këtë "i tërë procesi zgjedhor në Kosovë do të bëhej i diskutueshëm".

Sipas të përditshmes serbe, shtetet e Kuintit po bëjnë përpjekje që gjatë zgjedhjeve të pritshme, as Beogradi, as Prishtina, të mos jenë humbës.

Sipas skenarit aktual, zgjedhjet parlamentare do të mund të organizoheshin dhe ato do t’i mbikëqyrte personali i OSBE-së, shkruan "Blic".

Autoritetet kosovare, por edhe ato ndërkombëtare janë shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë.

Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se organizimi i tyre shkel sovranitetin e shtetit dhe provokon destabilizimin e Kosovës.

Serbia, deri më tash, ka mbajtur disa zgjedhje në Kosovë, por rezultatet e tyre nuk janë njohur të ligjshme as nga autoritetet kosovare, as ato ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG