Ndërlidhjet

Rritja 3.8% nuk zvogëlon papunësinë


Sheshi Nënë Tereza, Prishtinë (Foto arkiv)

Sheshi Nënë Tereza, Prishtinë (Foto arkiv)

Varfëria dhe papunësia janë dy nga problemet thelbësore në Kosovë. Megjithatë, këto dy probleme kryesore, sipas njohësve të çështjeve ekonomike, nuk do të mund të adresohen as gjatë vitit 2012 për shkak se rritja ekonomike prej 3.8 për qind e paralajmëruar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e pamundëson një gjë të tillë.

Kosova, sipas profesorit të Ekonomisë, Isa Tahiri, për të adresuar problemet thelbësore të papunësisë dhe varfërisë, duhet të ketë një rritje ekonomike prej 7 deri në 8 për qind dhe sipas tij, çdo rritje nën këtë normë i pamundëson Kosovës t’i reflektojë nevojat e vendeve të reja të punë dhe zvogëlimin e varfërisë së skajshme.

“Unë mendoj se është shumë vështirë që me këtë rritje ekonomike prej 3.8 për qind, të kemi zbutje të varfërisë. Me këtë rritje ekonomike është shumë vështirë të zbutet një varfëri e skajshme prej 18 për qind dhe një papunësi mbi 45 për qind”
, thotë Tahiri.

Ndërkohë, edhe sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, varfëria dhe papunësia mbeten ndër shqetësimet kryesore të kosovarëve, të cilët mendojnë se situata e rëndë ekonomike e kërcënon edhe stabilitetin e vendit.

Para së gjithash, sipas vlerësimeve të tyre, prioritet i Kosovës duhet të jetë adresimi i varfërisë dhe papunësisë.

Ndërkaq, profesor Tahiri thekson se çdo rritje ekonomike, e cila nuk adreson këto probleme, do të thotë se vendi ka humbur në kohë.

“Mund të them se mund të kishte gjasa reale të rritjes së punësimit dhe zbutjes së varfërisë nëse do të arrihet të ketë investime, dhe këto investime të kryhen brenda shtetit dhe të mblidhen tatimet brenda në shtet dhe jo në kufi”, thekson Tahiri.

Në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, në vitin 2009, varfëria ishte 34 për qind e gjithë popullsisë.

Sipas këtij raporti, pak më shumë se një e treta e popullsisë jetonin nën vijën e varfërisë absolute me 1.55 euro në ditë, ndërsa 12 për qind jetonin nën vijën e varfërisë së skajshme me 1.02 euro.

Ndërkaq, papunësia thuhet të jetë mbi 48 për qind.

Edhe eksperti i çështjeve ekonomike, njëherë ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, pohon se rritja ekonomike prej 3.8 për qind nuk mundëson zgjidhjen e asnjë problemi aktual të Kosovës, siç janë papunësia dhe varfëria.

“Në të gjitha analizat makroekonomike të të gjitha vendeve, e konkretisht në Kosovë, çdo rritje nën 7 deri në 8 për qind e konservon këtë varfëri dhe këtë nivel të zhvillimit ekonomik. Rreth 30 mijë persona të rinj hyjnë brenda vitit në kontingjentin e punës, kurse ekonomia e Kosovës ka një aftësi shumë më të vogël të absorbimit të tyre”, vlerëson Shatri.

Shatri thekson se derisa Qeveria e Kosovës nuk po mund t’i zbusë dy problemet kryesore - varfërinë dhe papunësinë, qytetarët janë në një pozitë të palakueshme.
Përveç që nuk janë zgjidhur problemet, është humbur edhe shpresa e njerëzve për një jetë më të mirë.


“Përveç që nuk janë zgjidhur problemet, është humbur edhe shpresa e njerëzve për një jetë më të mirë. Në këtë vend të ri dhe të pavarur është humbur shpresa se ka perspektivë dhe të gjithë këta të papunë e të varfër shikojnë alternativa tjera jashtë vendit”, potencon Shatri.

Ndryshe, kanë mbetur edhe dy vjet për përmbushjen e një prej objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit që është zotuar Kosova, e që ka të bëjë pikërisht me përgjysmimin e varfërisë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG