Ndërlidhjet

Rryma shtrenjtohet, por për sa?!


Ilustrim
Ilustrim
Korporata Energjetike e Kosovës, ka paralajmëruar se që nga muaji prill çmimet e energjisë elektrike do të ngrihen, por ende nuk dihet saktësisht sa për qind.

Viktor Buzhala, zëdhënës në këtë korporatë, tregon se kanë dërguar tri opsione në Zyrën e Rregullatorit për Energji, (ZRrE), për ngritjen e tarifave të energjisë. KEK-u, thotë Buzhala, ka kërkuar që rryma të shtrenjtohet për 23, 12 ose 9 për qind.

“Këto konstatime kanë dalë në bazë të metodologjisë tarifore, të aprovuar nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që kanë qenë obliguese për KEK-un. Duke e parë gjendjen e rëndë sociale, ne kemi bërë këto variante, sepse rritja reale do të duhej të ishte 23 për qind, mirëpo ne kemi lëshuar pe, që të jetë 12 eventualisht 9 për qind”, thotë Buzhala.

Mirëpo, këto propozime mund të ndryshohen nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Adelina Murtezaj, zëdhënëse në ZRrE, pranon se është pranuar kërkesa e KEK-ut në tri variante për ngritje të çmimit të energjisë. Pas shqyrtimit të kërkesës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, thotë ajo, ka vlerësuar që tarifat e energjisë elektrike të jenë 7.6 për qind më të shtrenjta se tarifat aktuale.

Termocentrali "Kosova A"
Termocentrali "Kosova A"
“Tash, në vazhdim është edhe një afat i caktuar, për komentet që palët e interesit mund t’i japin në lidhje me raportin konsultativ, të cilin e ka publikuar ZRrE. Pas marrjes së komenteve, kjo zyrë shqyrton edhe një herë të gjitha komentet e marra së bashku me raportin konsultativ, dhe do të dalë me një vendim përfundimtar për tarifat e reja të energjisë”, pohon Murtezaj.

Por, Korporata Energjetike e Kosovës nuk është pajtuar me propozimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Viktor Buzhala thotë se kjo shifër duhet të jetë dyshifrore.

“Ne nuk jemi pajtuar me atë rritje dhe presim që rritja përfundimtare të jetë 11. 6 për qind”, thekson Buzhala.

Lidhur me paralajmërimin e KEK-ut, për shtrenjtim të energjisë elektrike, kanë reaguar disa organizata joqeveritare. Nazim Haliti, nga Konsorciumi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Energji, thotë se kërkesa e KEK-ut për shtrenjtim deri në 23 për qind nuk pasqyron koston reale të prodhimit të energjisë.

Haliti, madje, konsideron se KEK-u është duke ngritur tarifat për shkak të keqmenaxhimit të korporatës dhe dështimit që të ndalojë humbjet teknike.
Humbjet teknike dhe komerciale, pra humbjet në rrjet dhe vjedhja e energjisë arrin nga 37- 40 për qind të rrymës së gjithëmbarshme të prodhuar


“Humbjet teknike dhe komerciale, pra humbjet në rrjet dhe vjedhja e energjisë arrin nga 37- 40 për qind të rrymës së gjithëmbarshme të prodhuar. Kjo është shumë paradoksale, sepse kjo nënkupton prodhimin e gjithë energjisë vetëm nga një bllok. E, në anën tjetër, KEK-u mundohet që t’i mbulojë shpenzimet që planifikon t’i bëjë në riparimin e termocentralit ‘Kosova B’, i cili edhe ashtu duhet të mbyllet në vitin 2017”, shprehet Haliti.

Ndryshe, edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kanë reaguar kundër shtrenjtimit të mundshëm të energjisë elektrike. Sipas tyre, ngritja e tarifave do të kontribuojë në ashpërsimin dhe përkeqësimin e standardit jetësor për kategoritë që jetojnë në kushte të rënda sociale.
XS
SM
MD
LG