Ndërlidhjet

Dialogu aderues nuk nënkupton datën e negociatave


Ilustrim
Ilustrim
Nisja e dialogut aderues me Bashkimin Evropian, nga njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare shihet si shans i mirë për Maqedonisë në afrimin e mëtejmë drejt BE-së. Por, ata rikujtojnë se kjo formë e komunikimit me BE-së nuk duhet të nënkuptuar si fillimi i dialogut për anëtarësim, pasi deri në fillimin e tij Maqedonia duhet të përmbushë kriterin kryesor - zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Bëhet fjalë për një lloj të dialogut të nivelit të lartë për anëtarësim, por nuk është fillim i bisedimeve. Është një fazë që BE-ja dhe institucionet e saj që e shfrytëzojnë për t'ju ndihmuar shteteve kandidate, me qëllim që ato të mos presin fillimin e bisedimeve, por të punojnë në ato fusha ku Maqedonia ka më shumë pengesa”, thotë Bekim Kadriu, ligjërues i së Drejtës Ndërkombëtare.

Lidija Dimova nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian thotë se ky dialog rikujton Maqedoninë se në rrugën drejt integrimit evropian, ka edhe shumë punë për të bërë.

Por, Dimova tërheq vërejtjen se pushteti edhe në këtë rast tenton të manipulojë duke e quajtur këtë fazë të komunikimit si një fitore të madhe.

“E gjithë kjo është e mirë. Pra, Komisioni gjeti një mënyrë se si të veprojë me Maqedoninë duke rikthyer kriteret politike. Por, Komisioni Evropian duhet të ketë ambasadorin e saj këtu, që e gjithë kjo të mos keqpërdoret nga ana e pushtetit, pasi kjo veçmas po ndodh se gjoja është arritur një fitore e madhe që nuk fakt nuk është gjë tjetër përveç se, si të them, një dhuratë ngushëlluese. Pra, me këtë dialog Maqedonia rikthehet në kriteret që duhej t’i përmbushte shumë më herët, duke mos përjashtuar edhe ato politike. Por, për të mos lënë hapësirë për reagime nga ndonjë shtet tjetër, siç është edhe Greqia, Komisioni nuk përmend termin kritere politike, por thuhet se do të bisedohet për kapitujt 23 dhe 24 që në fakt kanë të bëjnë edhe me disa kritere politike”, shprehet Dimova.

Ajo thotë se Maqedonia ende është larg caktimit të datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim, për shkak të moszgjidhjes së çështjes së emrit, por edhe sikur kjo të ndodhë, bisedimet, thotë Dimova, nuk do të mund të fillonin para një viti.

Ndërkohë, Alajdin Demiri, ish-diplomat, vlerëson se nisja e dialogut aderues është një shans i mirë për Maqedoninë që të vazhdojë me përmbushjen e kritereve, por ai nuk beson në këtë, për shkak të, siç thotë, mosgatishmërisë së Qeverisë maqedonase për t’i përmbushur këto obligime, me arsyetimin se ato tashmë janë realizuar.

“Është një presion i hapur ndaj Maqedonisë ose shansi i fundit që të fillojë një dialog duke lënë pas dore çështjen e emrit, në të vërtetë u kthehet çështjeve vitale, reformave që nuk janë bërë deri më tani pasi Maqedonia pohonte se të gjitha kushtet janë pjekur për anëtarësim, që në fakt nuk janë pjekur. Është një shans për Maqedoninë, mirëpo vështirë pasi vlerësimi i kryeministrit dhe Qeverisë janë se ato reforma janë kryer, kurse vlerësimet e BE-së janë të kundërta dhe këtu Maqedonia do të hasë në probleme të mëdha”, thekson Alajdin Demiri.

Bisedimet ndërmjet Maqedoninë dhe BE-së do të përqendrohen në fushën e sundimit të së drejtës, reformave në administratë, lirisë së mediave, ekonomisë së tregut, si dhe në atë të rregullativës zgjedhore.

Çështja e emrit nuk do të diskutohet pasi për këtë Maqedonia duhet të arrijë zgjidhje me Greqinë, e që është edhe kushti kryesor në rrugën e saj të mëtejme drejt anëtarësimit në BE.
XS
SM
MD
LG