Ndërlidhjet

Irani heq “1 Dhjetorin nga” kalendari zyrtar


Ekspozitë në Ditën Botërore kundër AIDS-it, në Teheran, më 2008.Sipas aktivistëve, ndryshimi kalendarik do të thotë më pak vëmendje publike për një çështje, që është tabu në Iran.
Ekspozitë në Ditën Botërore kundër AIDS-it, në Teheran, më 2008.Sipas aktivistëve, ndryshimi kalendarik do të thotë më pak vëmendje publike për një çështje, që është tabu në Iran.
Divizioni i Qeverisë iraniane që cakton politikën kulturore të vendit, thuhet të ketë hequr Ditën Ndërkombëtare të AIDS-it nga kalendari shtetëror. Ky veprim ka shkaktuar shqetësimin e atyre që luftojnë kundër përhapjes së AIDS-it në Republikën Islamike, ku sëmundja është mjaft e stigmatizuar.

E përditshmja prestigjioze e Iranit “Etemad”, ka shkruar se rregullat e reja, të miratuara nga Këshilli Suprem i Revolucionit, lejojnë që në kalendarin zyrtar të shtetit të futen vetëm ngjarjet që “forcojnë identitetin kombëtar të Iranit”.

Vendimi thuhet se është miratuar në takimin e Këshillit, në gusht të 2009-s dhe është nënshkruar nga presidenti Mahmud Ahmadinexhad, i cili është edhe kryesues i këtij organi.

Ndryshimi, megjithatë, duket të ketë kaluar pa u vërejtur derisa “Etemad” ka shpërndarë lajmin. Gazeta pohon se vendimi është marrë pa dijeninë dhe pa konsultime të Ministrisë së Shëndetësisë.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Hamid Huseini, citohet të ketë thënë se zyrtarët do të kërkojnë shpjegim nga Këshilli i Revolucionit në lidhje me çështjen.

“Nëse nevoja për parandalimin e AIDS-it nuk kuptohet mirë nga anëtarët e këshillit, atëherë ne duhet t’ua kujtojmë atë atyre, në mënyrë që data të përfshihet përsëri në kalendar”, thotë Huseini.

Në vitin 1988, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka deklaruar AIDS-in epidemi globale. Po ashtu, ka shpallur 1 Dhjetorin si Ditë Ndërkombëtare për ndërgjegjësim ndaj sëmundjes.

Sipas shifrave zyrtare, të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, rreth 23,000 iranianë janë të infektuar me virusin HIV/AIDS. Ekspertët e pavarur besojnë se numri real i personave të infektuar është shumë më i lartë.

Arash Alaei, mjek iranian që merret me trajtimin e personave të infektuar, thotë se shifrat zyrtare paraqesin vetëm numrin e rasteve të regjistruara me HIV/AIDS. Ai thotë se numri i vërtetë i të infektuarve është rreth 100,000.
Shumica e të prekurve thuhet të jenë të varur nga droga, ndonëse në vitet e fundit thuhet të ketë shënuar rritje përhapja edhe përmes marrëdhënieve seksuale.

Alaei thotë se heqja e Ditës Ndërkombëtare të AIDS-it nga kalendari zyrtar, përbën shkelje të të drejtave të njeriut.

“Dita Botërore e AIDS-it është përfshirë në kalendarët zyrtarë të shumicës së vendeve, jo për shkak të numrit të njerëzve të infektuar, por për shkak të rëndësisë së të drejtave civile”, thotë Alaei.

Arash Alaei dhe vëllai i tij, Kamiar, i cili po ashtu është ekspert që lufton për parandalimin e AIDS-it, janë burgosur në vitin 2008, pasi Qeveria iraniane i ka akuzuar ata për kontakte me “qeveritë armiqësore”.

Dy vëllezërit që janë liruar vitin e kaluar dhe tani jetojnë në Shtetet e Bashkuara, shprehin shqetësimin se ndryshimi kalendarik mund të thotë edhe më pak vëmendje publike për një çështje, e cila është tabu në Iran.

“Kjo tregon se politikanët besojnë se AIDS nuk është një çështje e rëndësishme, ndërsa 70 për qind e shoqërisë iraniane është më e re se 35 vjeç dhe është në rrezik nga infeksioni me AIDS dhe sëmundje të bartura seksualisht”, thekson Kamiar.

Kritikë ndaj vendimit të ri janë shprehur edhe aktivistët brenda Iranit.(v.t.)
XS
SM
MD
LG