Ndërlidhjet

Kush të merret me veriun?


Ura qendrore në Mitrovicë (Foto arkiv)

Ura qendrore në Mitrovicë (Foto arkiv)

Është e qartë se duhet të ketë një zgjidhje për veriun e Kosovës. Një numër i palëve është i përfshirë në këtë edhe kur Zyra Civile Ndërkombëtare mbyllet më vonë gjatë këtij viti, thonë në ICO.

Edhe pse Zyra Civile Ndërkombëtare e pati në agjendë të punës integrimin e veriut të Mitrovicës kur nisi misionin e saj në Kosovë, ky mision duket se është pajtuar me faktin se përmbyllja e mandatit të saj do të bëhet pa integrimin e pjesës veriore.

Zëdhënësi i ICO-së, Kristian Palme, foli megjithatë për nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje për problemin që prek zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë.
Eventualisht, është e qartë se duhet të ketë një zgjidhje për veriun e Kosovës.


“Eventualisht, është e qartë se duhet të ketë një zgjidhje për veriun e Kosovës. Një numër i palëve është i përfshirë në këtë dhe kur Zyra Civile Ndërkombëtare mbyllet më vonë gjatë këtij viti, organizatat e tjera ndërkombëtare do të vazhdojnë ta mbështesin dhe ta këshillojnë Qeverinë rreth çështjes së veriut të Kosovës”, u shpreh Palme.

Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën është bërë tashmë edhe prioritet i Qeverisë së Kosovës, e cila synon të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit deri në muajin shtator të këtij viti.

Po në shtator pritet të publikohen raportet e progresit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit perëndimor, të cilat në vitin e kaluar kishin vënë në pah domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Një “sukses” në këtë drejtim thuhet se është arritur tashmë në kuadër të dialogut teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Vetë ndërmjetësuesi i këtij procesi, diplomati Robert Kuper, theksoi ditë më parë rëndësinë që Prishtina e Beogradi ta trajtojnë enkas problemin e veriut.Por, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kundërshtoi së fundi sërish çdo opsion që flet për ndonjë status special-si zgjidhje eventuale për veriun e Mitrovicës.

“Pretendimet që paraqiten aty-këtu për ndonjë autonomi apo status special, nuk janë të vërteta, janë të paqëndrueshme dhe nuk do të ndodhin. Edhe sa i përket pretendimit për ndryshimin e kufijve, unë ua kam bërë të qartë, në emër të Qeverisë, të gjithë miqve ndërkombëtarë mesazhin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës se me pretendime të tilla për ndryshimin e kufijve, shqiptarët më së miri dhe më së lehti mund të jetojnë në një shtet të vetëm”, pati deklaruar Thaçi në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës.

Njohësit e rrethanave politike, ndërkaq, thonë se Prishtina zyrtare nuk duhet të frikësohet nga çfarëdo lloj procesi që ka për qëllim zgjidhjen e ngërçit disa-vjeçar në veri.
Frika nga një status i mundshëm nuk e bën më lehtë të integrueshëm veriun.


Analisti, Leon Malazogu, shpjegon:

“Frika nga një status i mundshëm nuk e bën më lehtë të integrueshëm veriun. Në qoftë se, duke u nisur nga frika, Prishtina nuk i hyn asnjë procesi për veriun, atëherë do të perceptohet si një palë joserioze dhe do ta bëjë edhe më të vështirë integrimin e veriut më vonë”.

Sfidë e radhës - sidomos për pjesën veriore të Kosovës, paraqesin zgjedhjet lokale që Serbia ka paralajmëruar se do t’i mbajë edhe në territorin e vendit.

Banorët lokalë të veriut të Mitrovicës kanë refuzuar, deri më tani, pjesëmarrjen në çfarëdo procesi që iniciohet nga institucionet shtetërore të vendit duke u thirrur në Kushtetutën e Serbisë që e cilëson Kosovën pjesë të saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG