Ndërlidhjet

Miti mysliman në SHBA


Protestat kundër propozimit për të ndërtuar një qendër islamike kulturore dhe një xhami në vendin ku kanë rënë Kullat Binjake (Foto arkiv)
Protestat kundër propozimit për të ndërtuar një qendër islamike kulturore dhe një xhami në vendin ku kanë rënë Kullat Binjake (Foto arkiv)
Një sondazh i ri në Shtetet e Bashkuara ka zbuluar se disa amerikanë besojnë ende se presidenti Barak Obama është mysliman.

Është të paktën sondazhi i pestë ose i gjashtë që shtron këtë pyetje që nga viti 2007, kur Obama është bërë kandidat për Shtëpinë e Bardhë dhe kur amerikanët kanë mësuar se babai i tij është mysliman nga Kenia.

Vetë Obama, veten e tij e ka përshkruar si “i krishterë me zgjedhje”.

Sondazhi i veçantë ka anketuar republikanët në shtetet jugore të Misisipit dhe Alabamës dhe është zhvilluar në kohën e duhur për të përkuar me zgjedhjet e kandidatëve republikanë.

Të pyetur nëse Obama është mysliman apo i krishterë, 45 për qind e respondentëve në Alabama kanë thënë “mysliman”, ndërsa 41 për qind të tjerë kanë thënë se nuk janë të sigurt.

Në Misisipi, 52 për qind e të anketuarve e kanë identifikuar kreun amerikan si mysliman, ndërsa 36 për qind të tjerë nuk janë shprehur të sigurt.

Po, përse vazhdon ky mit? Një teori akademike thotë se kur anketuesit vazhdojnë të pyesin pyetjen e njëjtë dhe kur gënjeshtra përsëritet disa herë, njerëzit fillojnë të besojnë në vërtetësinë e saj.

Sondazhi i fundit kombëtar për këtë çështje ka qenë në gusht të 2010-s dhe ka gjetur se miti mysliman besohet nga një numër relativisht i madh i amerikanëve: 18 për qind. Dyzetetre për qind kanë thënë se nuk janë të sigurt për religjionin e Obamës, ndërsa vetëm 34 për qind e kanë identifikuar saktë - pra të krishterë.

Republikanët e anketuar në sondazhin e fundit kundërshtojnë edhe Partinë Demokratike të Obamës dhe duan të shohin humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Një interpretim xhentil i qëndrimit të tyre se Obama është mysliman, është se ata nuk i besojnë asgjëje që ai bën ose thotë.

Por, interpretimi më i saktë, njëherësh njëri që ka gjetur mbështetje në rritje në sondazhe, është se të quash Obamën mysliman, është mënyra për të sugjeruar se presidenti “nuk është amerikan i vërtetë”.

Dhjetë vjet nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit, të kryera nga pjesëtarë të Al Kaidës, paragjykimi i shëmtuar kundër islamit vazhdon të mbizotërojë në disa pjesë të Amerikës.

Protestat e zemëruara të vitit të kaluar në lidhje me propozimin për të ndërtuar një qendër islamike kulturore dhe një xhami në vendin ku kanë rënë Kullat Binjake, kanë qenë dëshmi e qartë se disa amerikanë nuk bëjnë kurrfarë dallimi ndërmjet ekstremistëve islamikë dhe myslimanëve.

Fushata aktuale e republikanëve e ka njollosur edhe më tej këtë çështje.

Herman Kein, i cili për kohë të shkurtër ishte garues për nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale, ka thënë se nuk do të lejonte kurrë që një mysliman të shërbente në kabinetin e tij të Shtëpisë së Bardhë. Ai më vonë ka kërkuar ndjesë, duke thënë se ka folur shumë shpejt dhe nuk është dashur të përziente ekstremistët me “të gjithë myslimanët”.

Dy kandidatët aktualë, Njut Gingriç dhe Rik Santorum, vazhdimisht e karakterizojnë Ligjin e Sheriatit si një kërcënim të vërtetë për Shtetet e Bashkuara.

Ligjvënësit republikanë në pothuajse 24 shtete kanë paraqitur ligje që synojnë të ndalojnë gjykatat nga “njohja e ligjeve të huaja” - një eufemizëm për Ligjin e Sheriatit.

Kjo shkakton lemeri për shumicën dërrmuese të amerikanëve, të cilët e kuptojnë se ky vend i emigrantëve është ndërtuar mbi parimet e barazisë dhe lirisë fetare. Ideja se amerikanët myslimanë janë më pak amerikanë se amerikanët e krishterë apo amerikanët hebrenj, është thjesht neveri për ta.(v.t.)
XS
SM
MD
LG