Ndërlidhjet

FT: Fundi i monopolit


Banka Botërore...

Banka Botërore...

"Financial Times"

Më 17 shkurt, Robert Zollik ka bërë të ditur se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë si president i Bankës Botërore.

Që nga ajo kohë, pak është dëgjuar nga Uashingtoni ose Brukseli në lidhje me zëvendësimet e mundshme.

A do të thotë kjo se ka hezitime në administratën e SHBA-së se cilin amerikan të emërojë? Apo konventa e pashkruar kërkon që Banka Botërore të udhëhiqet nga personi më i kualifikuar, cilado qoftë origjina e tij ose e saj?!

Administrata amerikane dhe komuniteti ndërkombëtar duhet t’i japin fund monopolit të vjetruar dhe kundër-produktiv për zgjedhjen e kreut të këtij institucioni global.

Është koha të miratohet një procedurë e hapur dhe efikase e përzgjedhjes së kandidatëve nga vendet në zhvillim.

Dhe, është koha që deklaratat për angazhim në këtë proces, të tregojnë pak sinqeritet.

Zgjedhja e një amerikani në mënyrë të vazhdueshme tregon respekt të pamjaftueshëm për qytetarët e vendeve të tjera.

Vendet e zhvilluara kanë shumicën e aksioneve të votimit në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe kështu kontrollojnë udhëheqjen e këtyre institucioneve.

Shpejt do të vijë koha kur vendet në zhvillim do të përfaqësojnë gjysmën e prodhimit global. Ato tashmë po udhëheqin rritjen globale.

Më e rëndësishmja, vendet në zhvillim përfaqësojnë 6 miliardë njerëz nga popullsia 7-miliardëshe e botës.

Nuk duhet dakorduar për një rregull arbitrar, sipas të cilit, presidenti i Bankës Botërore duhet të jetë amerikan, ose për një tjetër, më pak arbitrar, sipas të cilit ai ose ajo duhet të vijë nga një vend në zhvillim. Për këtë pozicion duhet të konsiderohen njerëzit më të mirë, pa marrë parasysh se nga vijnë.

Vendet e zhvilluara kanë deklaruar disa herë rëndësinë e një procesi “të hapur, transparent dhe meritor”.

Ato kanë njohur rëndësinë e besimit dhe bashkëpunimit në kapërcimin e sfidave globale, sidomos atë të varfërisë.

Megjithatë, kur vjen momenti për vendim, ato nuk mund t’i rezistojnë dëshirës për të përjetësuar monopolin. Kjo nuk është vetëm hipokrizi.

Kjo po ashtu shkatërron besimin dhe frymën e bashkëpunimit, të nevojshme për të menaxhuar problemet e thella me të cilat përballet bota.

Kontrolli i vendeve të zhvilluara në procesin e përzgjedhjes po ashtu dekurajon vendet në zhvillim nga paraqitja e kandidatit të tyre, i cili mund të ketë mbështetje të gjerë në mesin e tyre.

Si rezultat, ekziston rreziku që zgjidhjet që i ofrohen Bordit Ekzekutiv, të jenë mjaft të limituara.

Një procedurë më e hapur mund të mbështetej – si disa organizata të tjera ndërkombëtare – në një komision të vogël përzgjedhës, i emëruar nga Bordi i Bankës.

Detyra e tij do të ishte të hartonte një listë të kandidatëve të emëruar nga vendet anëtare apo të tjerat.

Dhe, zgjedhja finale do të bëhej nga Bordi i Bankës Botërore në bazë të rregullave të zakonshme të votimit.

Kjo procedurë e thjeshtë do të ishte në përputhje me qeverisjen e tanishme të institucionit dhe me shumësinë e kandidatëve të mirë-kualifikuar.

Le të jetë pra konkurrenca e hapur dhe le të sillen sikur është vërtet një Bankë Botërore. (v.t.)
XS
SM
MD
LG