Ndërlidhjet

Serbi: Shefi i ushtrisë e ka paditur Natasha Kandiqin


Natasha Kandiq
Natasha Kandiq
Shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, e ka paditur aktivisten e njohur për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, e cila e kishte akuzuar atë për krime të luftës në Kosovë gjatë luftës në vitet 1998-99.

Zonja Kandiq, që e udhëheq Fondin për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, tha se padia e gjeneralit Dikoviq është e motivuar politikisht.

Organizata e saj kishte thënë se “shumë krime të rënda dhe masive” ishin kryer në pjesën qendrore të Kosovës, ku zoti Dikoviq ishte përgjegjës si komandant brigade në vitin 1999.

Fondi për të Drejtën Humanitare, poashtu, ka thënë se në krime përfshihen edhe ekzekutimet e civilëve, vjedhjet dhe dhunimet, dhe se gjenerali Lubisha Dikoviq, kishte pasur obligim që t’i parandaloj.

Dikoviq dhe prokurorët e Zyrës së Serbisë për Krime të Luftës i kanë hedhur poshtë akuzat.

Agjencia AP raporton nga Beogradi se afro 10 mijë njerëz, shumica prej tyre shqiptarë, janë vrarë gjatë luftës në Kosovë.
XS
SM
MD
LG