Ndërlidhjet

Shkarkim apo ndërprerje bisedimesh?


Kuvendi i Kosovës...

Kuvendi i Kosovës...


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka shprehur sërish pakënaqësitë e tij me punën e delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Beogradin.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta shqyrtojë zëvendësimin e këtij delegacioni, pasi që ekipi dialogues i udhëhequr nga kryenegociatorja Edita Tahiri, sipas tij, nuk ka arritur të përfaqësojë si duhet Kosovën në dialog.

Kryeparlamentari Krasniqi, tha se nuk është për ndërprerjen e dialogut, por për rivlerësimin dhe rishikimin e përformacës dhe rezultateve të Kosovës në këtë dialog.

Ndërprerja e bisedimeve nuk është zgjidhje. Zgjidhja duhet të kërkohet në bisedime. Unë nuk po insistoj, por në këto bisedime delegacioni nuk ka poseduar njohuri të mjaftueshme, dhe ata që e kanë formuar këtë delegacion duhet të mendojnë në rikompozimin e tij”, tha Krasniqi.

Pas deklaratave të Krasniqit, partitë opozitare në prononcimet e tyre për Radion Evropa e Lirë, thonë se nuk është problemi vetëm te kryenegociatorja Edita Tahiri dhe ekipi i saj, por problemi është shumë më thellë.

Opozita madje kërkon ndërprerjen e këtij procesi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se LDK ka tërhequr vërejtjen që nga fillimi se Kosova ka hyrë në këtë proces e papërgatitur, pa agjendë dhe pa një qëllim të caktuar.

Si proces i tillë nuk konsiderojmë se është i dobishëm që të vazhdojë. Sigurisht që edhe vet zonja Tahiri ka përgjegjësi, dhe në vend që të ofrojë informata, ne deputetët, Kuvendi dhe qytetarët e Kosovës, nuk duhet të shkojmë nëpër sportele e të shohim mos na ka dërguar ndonjë letër Edita, me informata se çfarë po ndodhë, por atë ajo vet duhet të dalë para opinionit për të shpjeguar”, u shpreh Beqiri.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se përgjegjësia për disa nga marrëveshjet më të rëndësishme, siç ishte ajo për fusnotën, i takon vet kryeministri Hashim Thaçi.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se zgjidhja, nuk duhet kërkuar vetëm në zëvendësimin e këtij ekipi.

Ai thotë se Kosova ka nevojë për një Qeveri kalimtare, e cila do të zbuste dhe riparonte sado pak dëmet që vendit po ia shkakton Qeveria e tashme.

Ne duhet ta shqyrtojmë mundësinë e ndërprerjes së këtij procesi të dëmshëm për Kosovën. Jam i bindur që dorëheqja e Qeverisë dhe një qeverisje kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme do të mundësonte normalizimin e situatës në Kosovë dhe ndaljen e këtyre dëmeve që po i shkaktohen Kosovës. Pra, nuk mund ta kërkojmë kokën e Edita Tahirit, në kuptimin politik, për shkak se vendimet po merren nga zoti Thaçi”, tha Ramadani.

Zëvendësimi eventual i anëtarëve të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Beogradin, duket se nuk do ta joshte shumë opozitën.

LDK-ja, sipas Ismet Beqirit, në asnjë formë, nuk do të ishte pjesë edhe e një ekipi të ri nëse krijohet.

Aq më tepër, rikompozimi i delegacionit, sipas tij, mund të kërkohet edhe për shkak të një procesi negociues për veriun, ku LDK mendon se nuk do të përfshihet.

Në asnjë variant LDK-ja nuk bëhet pjesë e grupeve, komisioneve, e tjera që i organizon kjo Qeveri e Kosovës. Ne nuk pranojmë që të bëhemi pjesë e kalkulimeve të ndryshme dhe nuk ka shans që LDK të bëhet pjesë e asaj çfarë eventualisht mund të ndodhë në Kosovë në pjesën veriore”, tha Beqiri.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani thotë se AAK nuk sheh interes që t’i bashkohet ndonjë ekipi tjetër eventual, duke preferuar më shumë kontributin opozitar përmes Parlamentit.

Asnjë mekanizëm tjetër nuk është vend ku Aleanca duhet të jetë për shkak, se AAK e ka detyrën e vet në Kosovë, dhe krejt kapacitetet e veta do t’i japë vetëm në Kuvendin e Kosovës”, theksoi Ramadani.

Sidoqoftë, bisedimet Kosovë - Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, deri më tash kanë prodhuar shtatë marrëveshje të prezantuara vetëm në formën e konkluzioneve.

Mirëpo, ndërmjetësuesi, në këtë rast BE-ja, ende nuk ka bërë edhe një vlerësim të zbatimit të tyre nga ana e palëve në bisedime.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG