Ndërlidhjet

Këshilli për Radio Difuzion i Maqedonisë, u ka tërhequr vërejtjen mediave të caktuara, duke i apostrofuar si nxitëse në situata të caktuara të tensioneve ndëretnike, gjatë zhvillimeve të fundit në Maqedoni.

Zëvendëskryetari i KRD-së vlerëson se një pjesë e medieve, në nivel shtetëror, në edicionet informative kanë shkelur parimin e paanësisë dhe informimit objektiv, për çka janë bërë dhe vërejtje me shkrim ndaj mediave të caktuara.

Kemi pasur raportime, ku njëra palë është paraqitur me stereotipe se njëra palë është fajtore, gjersa pala tjetër paraqitej si palë e dëmtuar. Për këtë arsye, ne në mënyrë urgjente si KRD, mbajtëm mbledhje dhe apeluam edhe një herë, pasi konstatuam se në formë drastike bëhet shkelja e standardeve dhe parimeve të informimit, ku do të promovohet fryma e tolerancës ndëretnike dhe kultivimit të vlerave demokratike”, thekson Milaim Fetahu nga KRD.

Ndërkohë, punonjësit e mediave vlerësojnë se politikat e strukturave udhëheqëse në shtet janë ato të cilat çojnë kah ndasitë në shoqëri, përfshirë këtu dhe mediat.

Petar Arsovski, ekspert, thotë se mediat në Maqedoni, varësisht se në cilën gjuhë informojnë, transmetojnë dy realitete të ndryshme gjatë informimit.

Në një ambient të tensioneve ndëretnike, që është realitet për momentin në Maqedoni, është normale që në masë të caktuar dhe mediat të bien pre e politikës ditore, por ajo që është më e dhimbshme është fakti se problemet në shoqëri marrin ngjyrë etnike, dhe kjo e bën edhe më të komplikuar zgjidhjen e së njëjtave”, thekson Arsovski.

Edhe Nazim Rashiti, gazetar, vlerëson se zhvillimet e fundit vërtetuan nivelin e ulët të profesionalizmit gjatë informimit të paanshëm.

Mediat në Maqedoni dështuan edhe një herë për t’u treguar profesioniste, kjo për faktin se mediat në varësi të asaj se në çfarë gjuhe, kishin opinionin e njërës palë të përfshirë në konflikt. Më duhet të bëj dhe një përjashtim, ngase jo të gjitha mediat i takojnë kësaj tabloje joprofesionale mediatike. Megjithatë, numri më dominant i medieve, e veçanërisht ato në gjuhën maqedonase, nuk arritën të pasqyrojnë të vërtetën e thënë nga të dy etnitetet e përfshira në konfliktet etnike që kapluan vendin”, shprehet Rashiti.

Nga ana tjetër, sipas Isen Salihut, redaktor i gazetës së përditshme maqedonase “Lajm”, fajtor nuk janë vetëm punonjësit e medieve, por është politika, e cila në masë të caktuar, përmes mekanizmave të ndryshëm ka impakt në kontrollimin e së njëjtave.

Mediat maqedonase edhe janë pak më të avancuara se realiteti që zotëron në Maqedoni, por edhe përkundër dëshirës së tyre, nuk mund të dalin jashtë kornizave të autoritetit. Në Maqedoni ekzistojnë media, kjo u pa edhe në ngjarjet e fundit, se ekzistojnë media të cilat informojnë në mënyrë tendencioze për zhvillimet”, thotë Salihu.

Ndryshe, një nga gjashtë shtyllat kyçe të dialogut të sapo filluar në nivel të lartë mes Maqedonisë dhe BE-së, është liria e të shprehurit, ku Maqedonia, në raportin e fundit është kritikuar për ndërhyrje politike.
XS
SM
MD
LG