Ndërlidhjet

Ballkani “të bëjë më shumë për viktimat e luftës”


Tomas Hamerberg
Tomas Hamerberg
“Pak viktima të luftërave në Ballkan kanë marrë kompensim adekuat dhe shumë kriminelë lufte vazhdojnë të mos përballen me drejtësinë, për shkak të punës së ngadalshme të gjykatave dhe mungesës së vullnetit politik”.

Kështu ka thënë të hënën në Sarajevë komisionari i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Tomas Hamerberg, duke folur rreth hapave që janë të nevojshëm “për drejtësi dhe paqe të qëndrueshme në rajon”.

Hamerberg ka thënë se vendet e rajonit duhet të mbështesin krijimin e komisionit të së vërtetës dhe pajtimit dhe të sigurojnë për të burime njerëzore dhe financiare.

Ai ka thënë se republikat e ish-Jugosllavisë – të cilat në periudhën 1991-1999 janë tronditur nga luftërat – kanë pësuar nga të njëjtat probleme: dështimi për të ndëshkuar krimet e kaluara, sistemet e dobëta për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe mungesa e institucioneve të reformuara.

“Tribunali Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi e ka ndihmuar rajonin, por mbetet shumë për t’u bërë”, ka thënë Hamerberg.

Sipas tij, “gjykatat lokale në shumicën e vendeve kanë qenë përgjithësisht të ngadalshme dhe shpesh të penguara nga partitë politike, çfarë ka krijuar vështirësi serioze në mbrojtjen e dëshmitarëve, sidomos në Kosovë”.

Zyrtari evropian po ashtu ka shfaqur nevojën e krijimit të një fondi rajonal të besimit, për të kompensuar viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi, “përfshirë 430,000 njerëzit, që janë ende të zhvendosur dhe jetojnë në qendra kolektive, si dhe rreth 20,000 gra që kanë qenë viktima të dhunimit”.
XS
SM
MD
LG