Ndërlidhjet


Depërtimi i artistëve muzikorë të Kosovës në shkollat e njohura evropiane dhe botërore të muzikës, por edhe në skenat muzikore jashtë vendit, është skajshmërisht i varfër, vlerësojnë përfaqësuesit e këtij komuniteti, të cilët i takojnë gjeneratës së re.

Ata thonë se edhe nëse ka depërtime të tilla, kjo kryekëput ndodhë mbi baza individuale dhe jo grupore, ndërkaq, sipas tyre, janë një varg shkaqesh që e bëjnë këtë situatë të jetë e tillë çfarë është.

Muzikologia Rreze Kryeziu, profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, thotë se studentët artit muzikor, por edhe artistët e kësaj fushe në përgjithësi, janë të bllokuar, për shkak të moskujdesit të institucioneve, por edhe pamundësive materiale.

Të vetmen mundësi që e kanë ata është deri në Shqipëri, me studentët atje, apo edhe në Maqedoni, ku shumica e studentëve po i vazhdojnë studimet atje, për mungesë të kuadrove përkatëse këtu”, shprehet ajo.

Mendim të përafërt ka edhe Dardan Selimaj, menaxher i Filarmonisë së Kosovës.

Por, sipas tij, një pjesë të fajit, për mos depërtimin e artistëve kosovarë të muzikës në skenat e muzikës artistike në Evropë dhe botë, e bartin vet organizuesit skenës muzikore në Kosovë.

Kjo, ndoshta, ka ardhur si rezultat i mos organizimit jo të mirë brenda për brenda skenës. Gjithmonë kemi pritur që të ftohemi nga festivale, nga institucione, të cilat udhëheqin skenën në vende të ndryshme. Por, duke pritur që të na bëhet ftesa nga dikush, kemi ardhur në këtë pozitë, në të cilën jemi sot”, thotë ai.

Megjithatë, të dy këta përfaqësues të brezit të ri të komunitetit të artistëve muzikorë në Kosovë, thonë se për të ndryshuar këtë situatë, artistët i janë përveshur vet punës.

Sipas tyre, tash e 7 vjet me radhë, ata po i ndërtojnë urat e kontakteve dhe bashkëpunimit me muzikantët evropianë dhe botërorë.

Në shërbim të kësaj, sipas tyre, është edhe organizimi i festivalit ndërkombëtar të muzikantëve të rinj “DAM”, i cili në fund të muajit mars pritet të nis edicionin e 7 të tij.

Selimaj, i cili njëherësh është edhe drejtor i përgjithshëm i Festivalit DAM, thotë se ky festival tashmë ka krijuar traditën e tij, por që në vazhdimësi sjellë risi, gjë që sipas tij, do të ndodhë edhe në edicionin e sivjetmë.

Jemi munduar që këtë vit të sjellim disa ansamble dhe në këto koncerte t’i angazhojmë edhe instrumentistët tanë në përformanca me ta. Kjo, në rast se ata tregohen të suksesshëm, mund t’iu hapë rrugë që të ftohen nesër në koncertet e këtyre ansambleve, në vendet prej nga vinë”.

Ndërkaq, Rreze Kryeziu, e cila është edhe drejtore e programit të festivalit DAM, thotë se në edicionin e sivjetmë do të marrin pjesë ansamble nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Itali, Maqedoni, Kroacia, Shqipëria e të tjerë.

Por, sipas saj, në programet e koncerteve, përveç veprave të autorëve të huaj, do të ekzekutohen edhe veprat e autorëve shqiptarë.

Ne, kësaj radhe, kemi vendosur që, pothuaj, secili program në netët e festivalit, të përmbaj edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë, qofshin ata nga Shqipëria apo edhe nga Kosova”.

Ndryshe, Festivali DAM nis më 30 mars dhe do të zgjasë deri më 12 prill.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG