Ndërlidhjet

Pond: S'duhet të ketë dialog special për veriun


Mitrovicë, foto nga arkivi
Mitrovicë, foto nga arkivi

“ Ajo që duan serbët tani është data për nisjen e negociatave për anëtarësim dhe nuk mendoj se BE-ja do t’u japë atyre këtë datë përderisa ata nuk bëjnë disa hapa pajtues rreth veriut të Kosovës”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Elizabeth Pond nga Qendra për Marrëdhënie Transatlantike - njëherësh autore e librit “Fundloja në Ballkan”.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pond, duket se Serbia ende po luhatet rreth mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në territorin e Kosovës. Edhe pse ka informata që thonë se zgjedhjet lokale nuk do të mbahen në Kosovë, kjo ende nuk është hedhur poshtë zyrtarisht nga Beogradi. Cili është skenari që prisni se do të ndodhë më 6 maj?

ELIZABETH POND
Është bërë paralajmërimi se zgjedhjet nuk do të mbahen në tri qendra të serbëve sepse në ato vende nuk u kaluar mandati zyrtarëve lokalë. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare- BE e kështu me radhë, pret që Beogradi të gjejë ndonjë arsye për të mos i mbajtur zgjedhjet as në qytetet e banuara me serbë në veri. Kjo nuk është e qartë ende, por mendoj se për këtë shpreson BE-ja.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova dhe autoritetet ndërkombëtare i cilësojnë zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë jolegale dhe në shpërputhje edhe me rezolutën 12 44 të Kombeve të Bashkuara duke thënë se ato zgjedhje nuk do të prodhojnë asnjë efekt juridik. Nëse jo juridik, çfarë mund të jenë efektet politike në rast të mbajtjes së këtyre zgjedhjeve?

ELIZABETH POND
Në radhë parë duhet thënë se kundërshtimi i autoriteteve kosovare ndaj zgjedhjeve serbe në veri nuk ka të bëjë me zgjedhjet presidenciale të cilat nuk janë caktuar ende. Thuhet se serbët e veriut kanë të drejtën e dyshtetësisë dhe mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale, por jo dhe në ato lokale e parlamentare që janë caktuar tashmë të mbahen më 6 maj.

Efektet politike do të shihen vetëm kur të dihen rezultatet e zgjedhjeve të 6 majit. Ajo në të cilën shpreson perëndimi, në fakt më mirë të themi BE-ja meqë Shtetet e Bashkuara janë të preokupuara me çështje të tjera sa që nuk janë aktori kryesor në këtë, është që pas zgjedhjeve të formohet një koalicion në mes të Partisë Demokratike dhe Partisë Liberal-demokrate të Çedomir Jovanoviqit.

Kjo e fundit tanimë për një kohë të gjatë ka insistuar që të mos shikohet prapa për të diskutuar rreth historisë dhe asaj se a i takon veriu dhe, në fakt, e tërë Kosova Serbisë përgjithmonë apo jo, ndërsa ka kërkuar që të shikohet drejt së ardhmes për të hequr dorë nga ‘elefanti i bardhë’ pra, ka kërkuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës për të ecur përpara në anëtarësimin në BE. Sipas të gjitha gjasave, qeveria e re nuk do të formohet deri në muajin shtator, por ky është drejtimi të cilin BE-ja shpreson dhe mendon se do ta marrë kjo çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pond, Serbia megjithatë i ka ende disa struktura paralele në Kosovë. BE-ja ka theksuar përgjatë muajve të kaluar nevojën që Serbia të shpërbëjë këto struktura-veçanërisht në pjesën veriore të vendit. Në blogun e fundit “Fundi i Lojës” ju thoni se “BE-ja vlerëson se Serbia shpenzon diku 200 milionë euro çdo vit në këtë qeveri në hije, duke e barazuar këtë me ndihmën financiare që Serbia merr çdo vit nga Bashkimi Evropian”. A do të ishin sanksionet financiare ndaj Serbisë një opsion për ta shtyrë atë që vërtetë të zhbëjë strukturat paralele në Kosovë e, nëse jo, cilat do të duhej të ishin sanksionet politike?

ELIZABETH POND
Nuk pres që BE-ja të përdorë “kartën financiare” për të bërë presion në këtë, por mendoj se presioni i vërtetë po vjen. Serbia është e vendosur për të ardhmen e saj evropiane për t’ju përshtatur shekullit XXI duke i përmbushur kriteret e BE-së, për t’u bërë anëtar i saj.

Ajo që duan serbët tani është data për nisjen e negociatave për anëtarësim dhe nuk mendoj se BE-ja do t’u japë atyre këtë datë përderisa ata nuk bëjnë disa hapa pajtues rreth veriut të Kosovës. Nuk e di se çfarë mund të jenë ata, por pres që në këtë drejtim të bëhet presion politik e jo financiar.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët veriun, për të cilin është paralajmëruar të diskutohet në kuadër të një dialogu politik ndërmjet Prishtinës e Beogradit, mirëpo Prishtina insiston se nuk do të diskutojë me Serbinë çështjet e saja të brendshme, siç është veriu. A mendoni se duhet të zhvillohet një dialog enkas për veriun e Kosovës?

ELIZABETH POND
Nuk mendoj se duhet të zhvillohet një dialog special. Ky do të jetë problemi më i madh që duhet zgjidhur dhe mendoj se kjo duhet të bëhet në kuadër të bisedimeve që kanë kosovarët, serbët dhe BE-ja, në çfarëdo mënyrë që ndodh. Kjo çështje nuk mund të përjashtohet dhe është në interesin e Kosovës që ta zgjidh këtë situatë.

Për momentin dhe për të ardhmen e afërt, mendoj se BE-ja duhet ta shtyjë përpara këtë çështje, meqë vet në BE thonë se nuk duan ta pranojnë një Qipro tjetër si anëtar të sajin, pra, nuk duan ta kenë një tjetër anëtar që ka probleme me kufijtë e vet. Presioni më i madh ndaj Beogradit do të ketë për qëllim që ai të bëjë lëshime në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, zonja Pond autoritetet kosovare ende insistojnë në planin Ahtisaari, derisa qeveria në Serbi ka përmendur një varg opsionesh të tjera si autonomia e zgjeruar për veriun, modeli i Irlandës Veriore dhe të tjera. Çfarë mendoni ju?

ELIZABETH POND
Mendoj se është interesante që zyrtarët serbë kanë filluar të mos flasin më për alternativën e ndarjes. Pra, kjo nuk është përfshirë gjatë negociatave edhe pse të tjerët flasin për të, ndërsa ata që kanë qenë të përfshirë në procesin e bisedimeve nuk e kanë përmendur këtë çështje.

BE-ja thotë se ndarja nuk paraqet ndonjë alternativë meqë nuk dëshiron të hapë çështje të tjera të kufijve në Ballkan. Pra, le të themi se është përjashtuar kjo ide. Sa i takon modelit të Irlandës Veriore, mendoj se edhe ky në fakt do të nënkuptonte ndarjen andaj ta përjashtojmë edhe këtë. Sa i takon autonomisë së zgjeruar-ajo që Kosova ka bërë mjaft mirë që nga shpallja e pavarësisë më 2008 ka qenë zbatimi i planit të Ahtisaarit në jug të lumit Ibër.

Nëse i shikoni raportet e organizatave joqeveritare për të drejtat e njeriut, kritikat kryesore për Kosovën në çështjet që kanë të bëjnë me minoritetet janë të përqendruara në trajtimin e romëve, ashkalijve dhe egjiptasve, por nuk përmendet trajtimi i serbëve në jug. Serbët e jugut e kanë pranuar, në fakt, atë lloj decentralizimi që e parasheh plani i Ahtisaarit i cili u mundëson atyre të zgjedhin udhëheqësit për komunitetin ku jetojnë.

Pra, ekziston tashmë një bashkëpunim me komunitetin serb në jug. Mund të imagjinoj se pala kosovare do të kërkonte një sqarim se çfarë do të nënkuptonte në autonomi e zgjeruar për veriun duke thënë se këtë lloj autonomie ia kanë ofruar të gjithëve-edhe serbëve në jug por edhe atyre në veri. Bazuar në këtë, mendoj se do të veprohet me planin Ahtisaari.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët planin Ahtisaari, duke e lënë integrimin e veriut në duart e mekanizmave të tjerë vendor e ndërkombëtar, Zyra Civile Ndërkombëtar që mbikëqyr zbatimin e planit në fjalë, pritet të mbyllet më vonë këtë vit. E përmendët gjithashtu BE-në si faktor të rëndësishëm në çështjen e veriut të Kosovës. A mendoni se BE-ja e ka fuqinë dhe vullnetin politik për të zgjidhur këtë çështje nëse merren parasysh qëndrimet e ndryshme që kanë vendet anëtare karshi shtetësisë së Kosovës?

ELIZABETH POND
Kjo do të jetë natyrisht pyetja kryesore. Kjo është një çështje e vështirë meqë BE-ja aktualisht është aq e përfshirë në një krizë permanente financiare, e cila nuk po zhduket. Ky problem ia zë hapësirën diskutimit të çështjeve të tjera në kuptimin e politikave, por mendoj se zyrtarët evropianë të përfshirë në çështjet e Ballkanit dhe të zgjerimit janë serioz rreth kësaj.

Mbyllja e ICO-së është e arsyeshme, meqë ka pasur aq shumë vlerësime të ndryshme, ndërsa vet burokracia nuk a qenë e unifikuar në këtë çështje. Kam përshtypjen se gjermanët, britanikët dhe francezët kanë bashkëpunuar ngushtë në mes veti në këtë drejtim. Pra, ata duan ta zgjidhin çështjen e Kosovës; nuk duan të shohin një konflikt tjetër të ngrirë në veri të Kosovës në botën e pasluftës së Dytë Botërore.

Mendoj se ata vërtetë do ta shtyjnë përpara këtë çështje, megjithatë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve serbe të 6 majit dhe pas formimit të qeverisë së re. Mirëpo, njerëzit përgjegjës për politikat karshi Ballkanit, karshi Kosovës e Serbisë, do të kërkojnë një zgjidhje të vërtetë për veriun dhe nuk do të lejojnë që kjo çështje të vazhdojë kësisoj.
XS
SM
MD
LG