Ndërlidhjet

Qeveria s’ka kapacitet t’i ndalë zgjedhjet serbe


Kabineti qeveritar

Kabineti qeveritar

Qeveria e Kosovës nuk është shumë e qartë nëse do të lejojë apo jo mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Republikës së Kosovës.

Zyrtarët e lartë në Prishtinë thonë se zgjedhjet janë të kundërligjshme dhe antikushtetuese dhe, si të tilla, nuk prodhojnë kurrfarë efektesh.Megjithatë, Kuvendi i Kosovës, me një rezolutë e obligon Qeverinë që të mos e lejojë fare mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, rikujton se institucionet e Kosovës kanë probleme në shtrirjen e pushtetit, sidomos në veri të vendit.
Shpesh vullnetet duhet të përputhen pak edhe me mundësitë edhe me kapacitetet.


“Besoj se të gjithë i dimë ne kapacitetet tona, i dimë limitet e, po ashtu, i dimë edhe mundësitë, por i dimë edhe vullnetet. Shpesh vullnetet duhet të përputhen pak edhe me mundësitë edhe me kapacitetet. Ne ia kemi të bërë të qartë bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti Serbisë, por edhe qytetarëve serbë atje që ato zgjedhje janë ilegale, do të trajtohen të tilla, s’do të kenë efekte politike e juridike dhe çdo rezultat eventual, po e them nën thonjëza, nuk do të jetë legjitim, por ne do të ndërmarrim edhe plane konkrete për parandalimin në radhë të parë të tyre, e pastaj për mos-mbajtjen e tyre”, thotë Kuçi.

Ditëve të fundit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, thanë se nuk duhet përjashtuar as përdorimin e forcës për ndalimin e zgjedhjeve serbe. Por, zëvendëskryeministri Kuçi dukej më i matur kur është fjala për çështjen e përdorimit të forcës.

“Unë e definoj shtetin kështu: Nuk është shteti aparat i dhunës, por shteti është aparat që ndërton rendin dhe të drejtën dhe kush e shkel rendin dhe të drejtën shteti e ka monopolin me përdorë dhunën. Jam i bindur që këtu rol të veçantë duhet të luajë bashkësia ndërkombëtare, në veçanti BE-ja, që është një lloj garance e raporteve të Kosovës me Serbinë”, thekson Kuçi.

Autoritetet serbe kanë kumtuar se zgjedhjet nëpër disa komuna të Kosovës do t’i organizojnë në koordinim me administratën e Kombeve të Bashkuara, përkatësisht UNMIK-un. Por, zyrtarë të UNMIK-ut, ende nuk kanë një qëndrim të prerë rreth organizimit apo ndalimit të tyre.

“Ne jemi konsultuar me akterët e ndryshëm. Siç kemi thënë edhe më parë, ne do të përgjigjemi kur të kemi kërkesën nga Serbia. Po presim një kërkesë zyrtare, të cilën nuk e kemi ende”, thotë një zëdhënës i UNMIK-ut, Olivier Salgado.


Historia e reagimit të Prishtinës kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të Kosovës filloi me deklaratën e Kuvendit të datës 22 dhjetor të vitit 2003. Edhe atëherë, Kuvendi i kishte cilësuar të paligjshme këto zgjedhje, por ato janë mbajtur nëpër komuna të banuara me shumicë serbe.

Kurse, administrata e UNMIK-ut, në vazhdimësi kishte deklaruar se nuk i organizon, por as nuk i pengon zgjedhjet serbe. Një reagim dhe skenar i tillë i Prishtinës zyrtare dhe administratës së UNMIK-ut, është përsëritur sa herë që Serbia ka organizuar zgjedhjet e saj edhe brenda territorit të Kosovës, madje edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Në rastin e zgjedhjeve të fundit të paralajmëruara nga Serbia, përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka deklaruar se zgjedhjet lokale janë krejtësisht të papranueshme, kurse ato parlamentare, sipas tij, mund të mbahen nën organizimin e OSBE-së, duke pasur parasysh faktin se në Kosovë ka qytetarë me shtetësi të dyfishtë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG