Ndërlidhjet

Uashingtoni paralajmëron Damaskun


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.
Shtetet e Bashkuara i kanë tërhequr vërejtjen Sirisë të bashkëpunojë me planin e OKB-së – në të kundërtën, do të përballet me më shumë izolim.

Deklarata joobliguese e miratuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara shpreh mbështetje të plotë për planin e të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan, i cili parasheh fund të dhunës, qasje të grupeve humanitare dhe dialog politik.

Deklarata po ashtu paralajmëron “hapa të mëtejshëm” nëse Anani nuk raporton për progres.

Në konferencën për gazetarë në Uashington, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ka thënë:

“Presidentit Bashar al-Asad dhe regjimit të tij, ne, së bashku me pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar, i themi: shko në këtë rrugë, angazhohu në të ose përballu me presion dhe izolim në rritje”.

Kombet e Bashkuara llogarisin se mbi 8,000 persona kanë humbur jetën gjatë kryengritjes njëvjeçare kundër regjimit të Asadit, ndërsa dhjetëra-mijëra njerëz kanë lënë shtëpitë e tyre.

Diplomatët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës janë shprehur të alarmuar për rarpotet që thonë se Irani shkel sanksionet e OKB-së dhe furnizon ilegalisht me armë qeverinë e Asadit.

Sanksionet e Kombeve të Bashkuara që godasin Iranin për shkak të programit të tij bërthamor, i ndalojnë Republikës Islamike të eksportojë armë.

Rasti mësohet të jetë duke u hetuar, ndonëse Irani dhe Siria i kanë mohuar akuzat për marrëveshje armësh.

Në Siri, aktivistët thonë se tanket qeveritare kanë granatuar dy zona të Damaskut, Hasratan dhe Irbinin, pasi rebelët kanë sulmuar një objekt të inteleigjencës së qeverisë.

Ofensiva ushtarake janë raportuar edhe në rajone të tjera.
XS
SM
MD
LG