Ndërlidhjet

logo-print

BE: Prezantimi i Kosovës është i qartë


Ilustrim

Ilustrim

Marrëveshja për prezantimin e Kosovës në nismat rajonale është e qartë, ndërsa për mënyrën e zbatimit të saj vendosin organizatorët e këtyre nismave.

Kështu ka deklaruar për mediat serbe, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton.

“Se si implementohet marrëveshja, për neve kjo është çështje e organizatorëve të takimit”, ka thënë Kocijançiq, për të shtuar se “janë organizatorët ata që vendosin se ku do të vendoset fusnota”.

Prishtina dhe Beogradi, në muajin shkurt, kanë arritur marrëveshjen për prezantimin rajonal të Kosovës me fusnotën që përmban Rezolutën 1244 dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me aktin e shpalljes së pavarësisë.

Autoritetet serbe thonë se Prishtina, në tre takime të kaluara, nuk u është përmbajtur rregullave të Brukselit për prezantimin me fusnotë.

Rrjedhimisht, Qeveria e Serbisë ka miratuar një udhëzim, sipas të cilit, të gjithë anëtarët e delegacioneve serbe obligohen që para takimeve, të deklarojnë se “pjesëmarrja e Prishtinës është në përputhje me marrëveshjen për përfaqësimin rajonal dhe se Kosova është pjesë e Serbisë”.
XS
SM
MD
LG