Ndërlidhjet

EULEX-i sërish pengohet nga serbët


Zupç - foto arkivi
Zupç - foto arkivi
Serbët lokalë edhe këtë mëngjes kanë bllokuar kalimin e tri makinave të EULEX-it në fshatin Zupç, duke pamundësuar lëvizjen e tyre drejt Bërnjakut.

Misioni paqeruajtës i KFOR-it ka reaguar me masa të njëjta, duke bllokuar komunikacionin në rrugët Zveçan-Zubin Potok dhe Zubin Potok-Mitrovicë, raportojnë mediat serbe.

Për shkak të bllokadave, raportohet për kolona të gjata makinash, që presin të kalojnë.

Një veprim i ngjashëm ka ndodhur edhe të mërkurën, si dhe disa herë të tjera në ditët e fundit.

Serbët e veriut thonë se misioni evropian nuk zbaton marrëveshjen për kalimin e vetëm tre makinave në ditë dhe për mosbartjen e doganierëve kosovarë në drejtim të Jarinës dhe Bërnjakut, por EULEX-i mohon ekzistimin e një marrëveshjeje të tillë.

Përfaqësuesit e KFOR-it disa herë kanë përsëritur se nuk duhet të ketë kushtëzime të lirisë së lëvizjes.

Serbët në veri krijojnë pengesa në qarkullim qysh në korrik të vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për shtrirjen e autoritetit të saj edhe në këtë pjesë të vendit.
XS
SM
MD
LG