Ndërlidhjet

"Vrasësi" francez nuk tregon shenja të lëvizjes


Tuluz, 22 mars 2012.

Tuluz, 22 mars 2012.

Aksioni i policisë së Francës për kapjen e të dyshuarit kryesor për vrasjen e shtatë personave, ka hyrë në ditën e dytë.

Ministri i Brendshëm francez, Kllod Guend, ka thënë se është e paqartë nëse i dyshuari është ende gjallë brenda apartamentit ku është ngujuar, në jugperëndim të Tuluzit.

Ai ka thënë se nuk ka pasur shenja të lëvizjes së tij për rreth 10 orë, ndonëse policia ka dëgjuar dy të shtëna me armë, siç duket nga brendia e apartamentit, gjatë natës.

Policia ka bërë përpjekje të negociojë dorëzimin e të dyshuarit, të identifikuar si Muhamed Merah, që nga mëngjesi i së mërkurës.

Merah, 24 vjeç, me shtetësi franceze, por me prejardhje nga Algjeria, dyshohet për vrasjen e tre ushtarëve francez këtë muaj, si dhe për vrasjen e katër personave në shkollën hebraike të Tuluzit më 19 mars.

Në mesin e viktimave të tragjedisë së fundit ishin tre fëmijë dhe një i rritur.

Merah ka pranuar se ka lidhje me Al Kaidën. Ai ka thënë se i ka bërë vrasjet për t’u hakmarrë ndaj akteve që kanë kryer ushtarët francezë në Afganistan dhe për fëmijët palestinezë, që kanë humbur jetën në konfliktin me Izraelin.
XS
SM
MD
LG