Ndërlidhjet

EULEX-i demanton marrëveshjen për lëvizjen e lirë


Pjesëtarë të EULEX-it në pikën kufitare në Jarinë, dhjetor, 2011
Pjesëtarë të EULEX-it në pikën kufitare në Jarinë, dhjetor, 2011
Misioni për Sundimin e Ligjit, EULEX, përmes një njoftimi për media ka sqaruar faktin se ky mision nuk ka qenë i përfshirë në asnjë marrëveshje që kushtëzon lëvizjen e stafit dhe automjeteve të EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës.

“Ka pasur raporte në disa qarqe që EULEX-i ka qenë i përfshirë në një marrëveshje të tillë. Kjo është e pavërtetë. Misioni këmbëngul për qasje të lirë, të pakushtëzuar dhe të përhershme për stafin dhe automjetet e EULEX-it. Kjo është e panegociueshme dhe është një parakusht absolut për misionin për të ndjekur mandatin e tij për sundimin e ligjit në këtë pjesë të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të këtij misioni.

Reagimi vjen, ndërkohë, që edhe mëngjesin e sotëm, serbët lokalë kanë bllokuar kalimin e tri makinave të EULEX-it në fshatin Zupç, duke pamundësuar lëvizjen e tyre drejt Bërnjakut.

Misioni paqeruajtës i KFOR-it ka reaguar me masa të njëjta, duke bllokuar komunikacionin në rrugët Zveçan-Zubin Potok dhe Zubin Potok-Mitrovicë.

Veprime të ngjashme kanë ndodhur edhe të mërkurën, si dhe disa herë të tjera në ditët e fundit.
XS
SM
MD
LG