Ndërlidhjet

Sanksione të reja kundër Sirisë, Bjellorusisë, Iranit


BE
BE

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, në takimin e tyre në Bruksel, kanë vendosur sanksione të reja kundër regjimeve në Siri, Iran dhe Bjellorusi.

Diplomatët thonë se në sanksionet e miratuara të premten, përfshihen edhe ndalimet e udhëtimit dhe bllokimi i fondeve i bashkëshortes së presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, Asma, dhe për afro 10 sirianë të tjerë.

Tashmë Bashkimi Evropian ka imponuar sanksione për afro 150 kompani të Sirisë dhe njerëz, për shkak të goditjes së dhunshme ndaj kundërshtarëve të regjimit të presidentit Bashar al-Asad.

Në listën e sanksioneve kundër Bjellorusisë, ministrat e jashtëm të BE-së i kanë shtuar edhe 29 kompani dhe 12 njerëz.

Më herët afro 230 shtetas të Bjellorusisë ishin futur në listën e zezë në përgjigje të shtypjes së opozitës politike, nga ana e regjimit të presidentit Aleksander Llukashenko.

Ministrat e BE-së, po ashtu, i kanë shtuar edhe 17 shtetas të Iranit në listën ku tashmë gjenden 61 persona, të cilëve u ndalohet udhëtimi në vendet e Bashkimit Evropian dhe të cilëve u janë bllokuar pasuritë.

Minsitrat i kanë zgjatur sanksionet për të gjithë edhe për një vit.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Ketherin Eshton, duke folur para fillimit të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, tha se sanksionet ndaj Sirisë kanë për qëllim shtimin e presionit kundër regjimit të Asadit për ta përfunduar dhunën, nga e cila, sipas Kombeve të Bashkuara, janë vrarë më se 8 mijë vet, prej fillimit të kryengritjes para një viti.

Unë jam me të vërtetë e shqetësuar për përshkallëzimin e spirales së dhunës në Siri, dhe ajo që na duhet është metoda me të cilën, para se gjithash, do të ndalet e gjithë dhuna”, tha Kethrin Eshton.

Bashkëshortja e presidentit Asad, Asma al-Asad, e lindur në Britani, aktualisht është në fokus të kritikave të ashpra, pasi aktivistët në Siri i kanë publikuar mesazhet, për të cilat thonë se janë nga imejli personal i bashkëshortit të saj.

Në mesazhe, të cilat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur, sugjerohet se Asma ka vazhduar blerjen e gjërave luksoze, derisa dhuna në Siri po intensifikohej.

Aksioni i së premtes i Bashkimit Evropian shënon raundin e dytë të sanksioneve kundër individëve në Bjellorusi, të ndërlidhur me regjimin gjatë muajit të fundit.

Qeveria e Bjellorusisë, më herët, kishte reaguar duke kërkuar që ambasadori i Polonisë dhe i dërguari i BE-së në kryeqytetin Minsk, të largohen nga Bjellorusia.

Ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, tha se Bashkimi Evropian, do ta vazhdojë politikën e vet të sanksioneve kundër regjimit të presidentit Llukashenka, të cilin e ka përshkruar si “diktatorin e fundit në Evropë”.

Llukashenka është diktatori i fundit në Evropë. Ne nuk mund thjeshtë vetëm të shikojmë kur njerëzit në Evropë janë të shtypur, të mbyllur dhe familjet vuajnë. Rrjedhimisht, është e domosdoshme që ne të vazhdojmë me politikën tonë të sanksioneve”, tha Vestervelle.

Sa i përket Iranit, ministrat po ashtu, kanë imponuar ndalje të eksportit në Iran për pajisjet që mund të përdoren për vëzhgim elektronik.

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i kanë miratuar edhe rregullat për implementimin e ndalesës së importit të naftës nga Irani, duke filluar më 1 korrik.

Bashkimi Evropian, për këtë masë, ishte pajtuar në muajin janar, në kuadër të përpjekjeve për t’i bërë presion Iranit, që ta ndalë programin, për të cilin vendet perëndimore kanë shqetësime se ka për qëllim prodhimin e bombës atomike.

Këtë akuzë Irani e ka hedhur poshtë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG