Ndërlidhjet

Jahjaga: NATO dëshmoi se e mbron paqen


Aviano, Itali, 1999

Aviano, Itali, 1999

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në përvjetorin e 13 të intervenimit të NATO-s në Kosovë, ka thënë se ky përvjetor “për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj e ka simbolikën e ndihmës dhe të përkrahjes në momentet më të vështira të historisë, në kohën kur popullsia shpërngulej me dhunë, kur kanosej të kryhet gjenocid mbi një popull të tërë”.

Sulmet ajrore të forcave të NATO-s cilësohen si humanitare për qëllimet e tyre si civilizuese dhe njerëzore në ruajtje të paqes dhe stabilitetit në efektet e tyre politike, ka thënë presidentja, për të shtuar se “Aleanca Veri Atlantike në përvjetorin e saj të 50-të e dëshmoi se është e aftë të ndërmarrë operacione të suksesshme në mbrojtje të paqes dhe në mënjanim të hegjemonisë, shtypjes dhe diktaturës”.

“Populli i Republikës së Kosovës ndien respekt dhe nderim të veçantë për gjithë angazhimin e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të Aleancës Veriatlantike-NATO, që duke mbrojtur parimet e lirisë, barazisë dhe demokracisë, dolën kundër një regjimi shtypës në mbrojtje te qytetarëve të pafajshëm duke vendosur vlerat civilizuese në këtë pjesë të Evropës”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

“Ne, në përvjetorin e 13-të ndiejmë admirim për gjithë ata burra dhe gra ushtarë dhe oficerë të forcave ushtarake të NATO-s që për 78 ditë me radhë u përkushtuan për jetësimin e parimeve në te cilat ata besonin dhe që për ne si popull kjo ishte vetë jeta”, thuhet në dejklaratë, e cila përfundon me një falenderim për trupat e NATO-s si dhe me dëshirën që Kosova të bëhet shpejt pjesë e NATO-s.
XS
SM
MD
LG