Ndërlidhjet

logo-print

Mirënjohje për NATO-n, 13 vjet pas intervenimit


Nisja nga baza në Itali, 24 mars 1999...

Nisja nga baza në Itali, 24 mars 1999...

Trembëdhjetë vjet më parë, filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi. Sulmet filluan më 24 mars të vitit 1999, pak para orës 20:00, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana.

Bombardimet mbi caqet serbe në ish-Jugosllavi, nga aviacioni i NATO-s, shënuan fillimin e përfundimit të agonisë së shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Serbisë.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës këtë datë, 13 vjet pas, e konsiderojnë si një ngjare të madhe historike.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se përvjetori i 13-të i intervenimit të NATO-s në Kosovë “për Republikën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj, e ka simbolikën e ndihmës dhe të përkrahjes në momentet më të vështira të historisë, në kohën kur popullsia shpërngulej me dhunë, kur kanosej të kryhej gjenocid mbi një popull të tërë”, thuhet mes tjerash në një deklaratën të presidentes Jahjaga.

Kurse, kryetari i Kuvendi i të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se 24 marsi i vitit 1999 dhe humaniteti i miqve ndërkombëtarë, do të mbetet gjithmonë në kujtesën e shqiptareve.

“Më 24 mars të vitit 1999, forcat e NATO-s, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërhynë në Kosovë për të dalë dhe për ta përzënë përfundimisht makinën vrastare të pushtuesit tonë shekullor. Ky akt solidariteti e humaniteti i miqve tanë do të mbetet në kujtesën e brezave të sotëm dhe të ardhshëm të Kosovës, të cilët do ta ruajnë ndjenjën e mirënjohjes së përjetshme dhe miqësisë, të kalitur në orët e vështira të historisë sonë më të re”, ka theksuar Krasniqi, derisa ka folur në Epopenë e Dukagjinit në Gllogjan.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një fjalim të mbajtur për nder të këtij përvjetori, ka thënë se fushata e NATO-s mbi caqet serbe kishte rëndësi më të thellë se të intervenimit humanitar dhe të stabilitetit rajonal.

“Për të ardhur deri te momenti i fillimit të bombardimeve, më 24 mars 1999, diplomacia botërore kaloi nëpër sprova dhe sfida të mëdha. Falënderuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shteteve të Evropës Perëndimore dhe vendosmërisë së liderëve politikë të këtyre vendeve, para 13 vjetësh filloi fushata më e suksesshme ushtarake e NATO-s, që kulmoi me dorëzimin e makinerisë luftarake të Millosheviqit”, ka theksuar kryeministri Thaçi, duke bërë meritore për këtë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Evropës perëndimore, anëtare të NATO-s.

Nga ana tjetër, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, aktualisht ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se më 24 mars derisa UÇK-ja po luftonte, me intervenimin e NATO-s liria për kosovarët u përshpejtua.

“Është datë kur u përshpejtua liria jonë, kur u bë më e qartë, shumë më e qartë e ardhmja jonë. Është datë kur edhe filloi partneriteti me NATO-n, i cili do të jetë gjithnjë më i fuqishëm dhe i përjetshëm - partneriteti në mes të Kosovës dhe NATO-s. Kështu që e konsideroj si një datë shumë të rëndësishme, ruaj kujtime personale shumë të mira prej asaj dite, ishte një ditë e gëzimit për të gjithë qytetarët e Kosovës, gjithashtu edhe për ushtarët e UÇK-së”, është shprehur Çeku.

Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, derisa ka folur në manifestimin “Epopeja e Dukagjinit” në Gllogjan, për intervenimin e NATO-s në Kosovë, ka thënë:

“Ne sot e kujtojmë këtë datë që ka kuptim dhe rëndësi të dyfishtë për lirinë tonë. Ditën kur nisi lufta e hapur në Dukagjin, në vitin 1998 dhe ditën kur një vit më vonë pushkëve të lirisë iu bashkuan aeroplanët e NATO-s, në fushatën e madhe të shpresës dhe të mbështetjes që bota perëndimore në krye me SHBA-në, ua dha Kosovës dhe shqiptarëve në fazën finale të luftës për liri, pavarësi e dinjitet kombëtar e qytetar”.

Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi në atë kohë president i Serbisë u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 12 44, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.

Analistë kosovarë kanë vlerësuar se ndërhyrja e Aleancës Veri-Atlantike ka qenë një ndër sukseset më të mëdha, jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe të vetë NATO-s.

Mbi 12 mijë të vrarë, 2 mijë persona të pagjetur dhe mbi 800 mijë persona të dëbuar nga Kosova, ishte bilanci në njerëz i konfliktit në Kosovë.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Klinton, duke i krahasuar ngjarjet në Kosovë me ato të Holokaustit, pati deklaruar se “NATO-ja u dha fund përpjekjeve të qëllimshme dhe sistematike për spastrim etnik dhe gjenocid”.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG