Ndërlidhjet

Ahmeti: Kosova rrezikohet me ndarje etnike


Shpend Ahmeti
Shpend Ahmeti




Lëvizja Vetëvendosje është kundër çfarëdo zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe shpallja e tyre nga ana e Serbisë tregon se kjo e fundit nuk e ka ndërmend ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Shpend Ahmeti, nënkryetar i parë i Lëvizjes Vetëvendosje.



RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë kanë deklaruar se e kundërshtojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, por jo edhe të atyre parlamentare, për shkak të, siç është thënë, dyshtetësisë që kanë një numër i qytetarëve. Si shihni ju këtë çështje?

SHPEND AHMETI
Lëvizja Vetëvendosje që nga fillimi ka deklaruar se është kundër mbajtjes së zgjedhjeve, qofshin ato lokale apo parlamentare, të Republikës së Serbisë në Kosovë, për shkak se ajo është shkelje e rëndë e integritetit institucional dhe territorial të Republikës së Kosovës.

Arsyetimi se gjoja zgjedhjet parlamentare mund të mbahen, sepse ka serbë këtu që kanë shtetësi të dyfishtë, do të ishte i mundur vetëm në rrethana normale, kur Republika e Serbisë e njeh shtetin e Kosovën dhe i thotë Kosovës se i kam disa shtetas që jetojnë në Kosovë dhe a do të mund të na ndihmoni që të organizoni zgjedhje që ata të marrin pjesë.

Mirëpo, këto rrethana nuk janë të tilla. Republika e Serbisë nuk e njeh shtetin e Kosovës. Në fakt, me shpalljen e tyre vetëm disa ditë pas arritjes së dialogut që nga disa u deklarua si një marrëveshje e madhe, Serbia e tregoi edhe një herë që nuk e ka ndërmend ta ndryshojë qasjen e saj ndaj Kosovës; nuk e ka ndërmend ta ndryshojë Kushtetutën ku Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë. Prandaj, këtë nuk mund ta quaj ndryshe, pos një provokim të radhës dhe mosndryshim të qasjes. Republika e Kosovës, me asnjë kusht, nuk duhet të pranojë që të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po si duhet të reagojnë institucionet e Kosovës në këtë që ju e quani provokim?

SHPEND AHMETI
Institucionet e Kosovës duhet, si gjithmonë, ta respektojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ata i kanë në dispozicion të gjitha mjetet institucionale që të parandalojnë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Por, për fat të keq, ne nuk kemi të bëjmë vetëm me një instancë në një rast kur Serbia tenton të bëjë diçka, për ta, do të thosha, cenuar pavarësinë e Kosovës - kjo është një pjesë e një politike të vazhdueshme, dhe institucionet e Kosovës, posaçërisht Qeveria, nuk ka reaguar gjithmonë në mënyrë të duhur.

Qeveria ka treguar se lëshon pe, prandaj sot Beogradi nuk thotë ne i falënderohemi Kosovës për zemërgjerësinë e saj në dialog, por thotë në i kemi fituar të gjitha këto koncesione me kokëfortësinë tonë. Serbia për këtë arsye e bën këtë, sepse e sheh se ka pasur lëshime pe; sheh se në Prishtinë ka një gatishmëri që të pranohen gjërat, prandaj edhe e bën këtë.

Institucionet, posaçërisht Qeveria, do të ketë përkrahjen tonë në qoftë se i bën, i merr të gjitha mjetet për të parandaluar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, por do të hasë edhe në kritikën tonë në qoftë se lëshon pe, siç ka bërë në të kaluarën.

Ne, kësaj radhe, e ngremë alarmin para kohe që të mos vijë puna që dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, pastaj të thonë jo presioni, domethënë mos të shkaktojnë diçka më të madhe, prandaj dëshirojmë që ky diskutim të bëhet në mënyrë që të parandalohen këto zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Qeveria e Kosovës duhet të jetë kokëfortë në moslejimin e këtyre zgjedhjeve, edhe nëse bie në konfrontim dhe mospajtime me bashkësinë ndërkombëtare?

SHPEND AHMETI
Kosova duhet të jetë parimore dhe këtu qëndron problemi i politikave të mëhershme. Po të ishin parimorë prej fillimit dhe në mbrojtje të institucioneve të Republikës së Kosovës, ne nuk do të ishim sot në këtë gjendje ku do të diskutonim zgjedhjet dhe do të diskutonim ndoshta ndonjë presion prej bashkësisë ndërkombëtare.

Këtu nuk ka konfrontim, këtu ka mbrojtje të interesave të popullit të Kosovës dhe këtë detyrë e ka Qeveria e Republikës së Kosovës, Parlamenti dhe të gjitha institucionet që janë në funksion të shtetit të Kosovës. Do të thotë, pa marrë parasysh se kush vjen, çka të thotë, çfarë bindje ka, institucionet tona duhet të jenë parimore në mbrojtjen e interesave të shtetit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kuvendi i Kosovës tashmë përmes një rezolute ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i ndalojë zgjedhjet serbe në vend. Por, a mendoni se ekzekutivi do të mund ta bëjë këtë?

SHPEND AHMETI
Ne e dëgjuam edhe një deklaratë nga përfaqësuesi evropian në Kosovë, i cili tha se vendimet e Kosovës i merr vetë Kosova. Kjo është në kundërshtim me atë se çka dëgjojmë nga Qeveria e Kosovës gjithmonë, se: miqtë tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar, jo presioni, jo ata i marrin vendimet etj.

Në qoftë se përfaqësuesi special thotë se Qeveria e Kosovës, populli, institucionet e Kosovës janë ato që marrin vendime, atëherë unë mendoj se një Qeveri e Kosovës do të duhej të ishte në gjendje që t’i parandalojë këto zgjedhje.Tani nëse më pyesni për këtë ekzekutiv, unë nuk jam shumë optimist, për shkak se ka shembuj në të kaluarën shumë të afërt, që na tregojnë se kjo qeveri mund të lëshojë pe para presionit ndërkombëtar, e posaçërisht para presionit që Beogradi i bën bashkësisë ndërkombëtare, i cili pastaj përkthehet në presion për Kosovën, pikërisht për shkak se kjo qeveri është e shantazhuar për shkak të shumë problemeve tjera që ka në mungesën e arritjeve të rezultateve në fusha tjera.

Prandaj, një qeveri, po të ishte e mirë, do të duhej të ishte në gjendje që ta bënte këtë, por kjo qeveri mua nuk më jep shumë optimizëm se mund t’i parandalojë këto zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë ekzistojnë zëra nga bashkësia ndërkombëtare që thonë se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat deri tash janë cilësuar si teknike, mund të evoluojnë në bisedime politike. Sipas jush, a ka rreziqe të caktuara, nga bisedimet e tilla eventuale dhe si i shihni ju?

SHPEND AHMETI
Që nga fillimi i këtij dialogu Lëvizja Vetëvendosje e ka potencuar se ky dialog është politik dhe nuk mund të jetë teknik, me Serbinë, duke marrë parasysh se ende kemi një problem të pazgjidhur që nuk është vetëm veriu, por ka të bëjë me të gjitha marrëdhëniet që Kosova ka me Serbinë.

Prandaj, zërat që po dëgjohen prej bashkësisë ndërkombëtare nuk janë të çuditshëm për ne. Ne mendojmë se (dialogu) ka qenë politik që nga fillimi dhe tani po shtohen zërat, sepse po vjen në radhë një diskutim tepër i rëndësishëm për veriun e Kosovës.

Ne, e kemi thënë se epilogu i këtij dialogu mund të jetë veriu, sepse nisi një herë si teknik, pastaj kthehet në politik dhe në fund që të diskutohet situata në veri. Edhe zgjedhjet dhe organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë mund të shihen në funksion të kësaj, sepse Serbia do të tentojë që zgjedhjet lokale t’i organizojë në gjithë territorin e Kosovës.

Në pjesën jugore të lumit Ibër ndoshta edhe Policia e Kosovës mund t’i ndalojë dhe të konfiskojë materialin, mirëpo në veri ato do të zhvillohen, mendoj unë, pa kurrfarë pengese. Me këtë Serbia do të shkojë para bashkësisë ndërkombëtare dhe do t’u thotë, ja po e shihni se në veri është një situatë krejtësisht tjetër nga gjithë ajo që shihni në Kosovë. Prandaj edhe kërkon një zgjidhje të veçantë nga pjesa tjetër.

Pra, të gjitha argumentet po tregojnë se strategjia e Serbisë dhe një pjese të bashkësisë ndërkombëtare është që të shkohet drejt një dialogu për veriun. Rreziku është tepër i madh, sepse nuk rrezikohet Kosova me ndarje, por rrezikohet me një autonomi speciale për veriun, e cila çon drejt ndarjes etnike të Kosovës dhe një shteti jofunksional.

Ne nuk jemi për ndarje të tilla, ne jemi për një shtet funksional të Kosovës, një shoqëri funksionale, dhe në qoftë se do të ketë integrim të minoriteteve ai integrim të jetë shoqëror dhe jo të krijojmë enklava, funksione të posaçme, ndarje kufijsh brenda Kosovës, që mund të çojnë drejt bosnjizimit të Kosovës. Ne kemi thënë shumë shpesh që Bosnja sot është e njohur nga Serbia dhe ka ulëse në Kombet e Bashkuara, mirëpo shumë pak njerëz mund të thonë se Bosnja është një shtet funksional.

Lëvizja Vetëvendosje është për një shtet funksional, i cili ka zhvillim ekonomik, ka shoqëri të zhvilluar, e jo domosdo vetëm që të kemi një marrëdhënie që nga jashtë duket mirë me Serbinë, kurse brenda të jemi shumë jofunksional si shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
A është përpjekur Vetëvendosja që, të paktën, të ndikojë ose edhe të jetë pjesë e një procesi për t’u përgatitur për diçka të tillë?

Ne në parim nuk kemi qenë kundër dialogut, por jemi kundër dialogut pa parime.
SHPEND AHMETI
Ne kemi thënë që i kemi ngritur çështjet që në fillim, kur është nisur ky dialog, se cilat do të duhej të ishin parakushtet për t’u ulur në tavolinë me Serbinë. Ne në parim nuk kemi qenë kundër dialogut, por jemi kundër dialogut pa parime. Pikërisht kjo ka sjell deri te një situatë ku tani neve na thuhet e ju si do t’ia bënit po të ishit në këtë funksion.

Ne u kemi thënë që në fillim mos u ulni në tavolinë - tash pasi keni ngrënë bukë, ju vjen fatura dhe thoni si t’ia bëjmë. Në këtë koncept mendojmë se zgjidhja më e mirë për nga aspekti kosovar është që kjo qeveri të japë dorëheqje për shkak të minuseve të shumta që ka si në dialog, si në zhvillim ekonomik, papunësi - nuk e di se a ka ndonjë rezultat pozitiv, dhe të shpallen zgjedhjet e reja që të kemi një qeverisje të mirëfilltë që ndoshta do t’i jepte hapësirë edhe palës kosovare që të riorganizohet, dhe të ketë përfaqësues të vërtetë të interesit të popullit të Kosovës vizavi bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahmeti, kalojmë në një temë tjetër. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se Kosova do të ketë rritje ekonomike për vetëm 3.8 për qind, gjë që është e pamjaftueshme për zbutjen e papunësisë. Sipas jush, politika dhe ekonomia e vendit a po krijojnë efekte të ndërsjella në njëra-tjetrën?

SHPEND AHMETI
Politika dhe ekonomia janë të ndërlidhura pothuajse në çdo shtet. Në fakt, nuk mund të shohim një zhvillim ekonomik pa pasur edhe zhvillim politik të vendit. Papunësia e moszhvillimi janë temat që i ka ngritur Vetëvendosja në të gjitha vizitat e fundit që i kemi pasur në Bruksel, Berlin e Vjenë, dhe do të vazhdojmë t’i ngremë si çështje tepër të rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.

Madje, ne po i ftojmë në debat edhe ambasadorët këtu, që t’u shmangen etiketimeve për Vetëvendosjen edhe në qoftë se janë të interesuar të futen në tema politike, të diskutojnë dhe të debatojnë për zhvillimin ekonomik, papunësinë për këto probleme.

Me një papunësi kaq të lartë, ku çdo i dyti kosovar nuk mund të gjejë vend pune, ku çdo i dyti jeton në varfëri, ne duhet të kemi rritje ekonomike dyshifrore për 10 vjet me radhë, që p.sh ta përgjysmojmë papunësinë. Kjo është një sfidë shumë e madhe. Nuk mund të gëzohemi me rritje ekonomike 3 për qind kur e kemi rritjen e popullatës 2 për qind, e kjo kur reflektohet pastaj në përmirësimin e jetës së qytetarit. Po t’i pyesni qytetarët, shumica janë në gjendje më të rëndë sesa që kanë qenë një vit më herët.

Këto janë tema të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Besomëni që vitin e fundit Qeveria ka qenë e preokupuar më shumë me dialogun, sesa me gjendjen e krijimit të vendeve të punës për kosovarët. Prandaj nuk mund të kemi debat politik të mirëfilltë pa diskutuar për ekonominë, për zhvillimi ekonomik dhe për krijimin e vendeve të punës dhe këto janë tema, të cilat po mungojnë në Kosovë, momentalisht.
XS
SM
MD
LG