Ndërlidhjet

Neurokirurgjia me një sallë operacioni


Ilustrim
Ilustrim
Klinika e Neurokirurgjisë është klinika e vetme në Kosovë, e cila ofron shërbime të subspecializuara për intervenime për tru dhe kurriz. Si e vetmja klinikë, ajo nuk e ka pasur zhvillimin e vet të duhur, thonë profesionistët shëndetësorë, duke theksuar se është anashkaluar në zhvillimet e përgjithshme të shëndetësisë.

Kjo klinikë ka vetëm një sallë të operacionit dhe numër shumë të madh të pacientëve.

Neurokirurgu Haxhi Avdyli, deklaron se në klinikën në fjalë punojnë 8 neurokirurgë specialistë, por mungesa e kushteve të punës, bën që pacientët të ikin jashtë vendit për të kërkuar shërbime.

“Në sallën e Neurokirurgjisë ofrohen operacione që zgjasin me orë të tëra te fëmijët dhe të rriturit dhe kërkohen kushte shumë të specializuara. Kjo klinikë nuk i posedon këto kushte. Në aspektin kadrovik është shumë e avancuar dhe këtu punojnë 8 kirurgë, shumica e tyre të specializuar në vende perëndimore. Mungesa e aparaturës, po bën që pacientët të ikin nga klinika dhe t’i kryejnë shërbime jashtë vendit duke bërë shpenzime të mëdha”, bën të ditur Avdyli.

Ka pacientë që qëndrojnë të shtrirë edhe me muaj të tërë. Por, kur vjen koha e operacionit, i duhet të presë. Një nga ta është edhe Afrimi.

“Vëllai është i shtrirë qe katër muaj. Ka pasur aksident trafiku. Po pret për operacion. Kemi blerë barna, meqenëse është këtu qe katër muaj. Tash i ka ardhur radha të hyjë në operacion, po presim çka do të ndodhë”, tregon vëllai i Afrimit.

Ndërkaq, neurokirurgu Avdyli pohon se mungesa e sallave të operacionit ia vështirëson punën ekipit mjekësor. Sipas tij, ka raste kur edhe nga 10 ditë i duhet të presë pacientit për të hyrë në operacion, ndërkohë që mund t’i keqësohet edhe gjendja.

“Kërkesat e pacientëve janë shumë më të mëdha, por në Repartin e Neurokirurgjisë pacienti duhet të presë edhe deri në 10 ditë, dhe gjendja e tij shkon duke u keqësuar, sepse ndoshta ka ndonjë tumor, që i rritet dita-ditës. Këto janë ato problemet që lindin pastaj edhe me familjarë, por që duhet pritet në rend. Një sallë nuk mund t’i përballojë gjithë këto kërkesa”, shpjegon Avdyli.

Ndërkaq, motra e një tjetër pacienteje, Arbnora Sahiti, thotë se nuk ka asnjë vërejtje lidhur me kujdesin në Repartin e Neurokirurgjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës:

“Motra është operuar, sot, prej palcës kurrizore. Operacioni ka qenë me sukses. Ka pasur përkujdesje në maksimum. Barna nuk ka pasur nevojë të blejmë. I ka poseduar të gjitha klinika. Diçka nga materiali shpenzues kemi blerë, kur i është dashur të hyjë në operacion”.

E, Haxhi Avdyli thotë se sa i përket barnave qëndrojnë mirë, por materiali shpenzues u mungon.

“Sa i përket barnave jemi të kënaqur, kemi furnizim të mirë, sidomos nëse krahasohet me vitet paraprake. Ajo çka na mungon, është materiali shpenzues që kërkohet për sallë të operacionit, si pjesët për intubim për anesteziologët, e disa gjëra tjera”, thekson Avdyli.

Edhe Have Blakaj shprehet të jetë e kënaqur me trajtimin që po i bëhet burrit të saj në këtë klinikë. Ajo thotë se është hera e parë që hospitalizohet burri i saj, pa pasur nevojë të blejë barna:

“Prej të dielës e kam burrin këtu. Nuk ka pasur nevojë të blej asgjë. S’ka vërejtje, tepër mirë po kujdesen për pacientët”.

Sidoqoftë, sipas Haxhi Avdylit, me kapacitetet aktuale që ka Klinika e Neurokirurgjisë, mund të kryhen një deri në tri operacione në ditë, derisa kërkesat janë shumë më të mëdha.
XS
SM
MD
LG