Ndërlidhjet

Obama paralajmëron Phenianin


Presidenti amerikan, Barak Obama, gjatë vizitës në zonën e demilitarizuar (DMZ) mes dy Koreve.
Presidenti amerikan, Barak Obama, gjatë vizitës në zonën e demilitarizuar (DMZ) mes dy Koreve.
Presidenti amerikan, Barak Obama, ia ka tërhequr vërejtjen Koresë Veriore se nuk “do të arrijë asgjë me kërcënime apo provokime”.

Paralajmërimet vijnë në kohën kur Koreja Veriore po përgatitet që të lansojë një raketë me rreze të gjatë veprimi, për të cilën Pehniani tha se do ta vë një satelit në orbitë.

“Ata duhet ta kuptojnë se sjellja e keqe nuk do të shpërblehet.Ekziston me dekada ky model i Koresë Veriore, të cilët mendojnë se duke provokuar në një formë do të shpërblehen për t’i ndaluar veprimet provokuese”, ka thënë Obama.

Obama i ka bërë komentet gjatë takimit me homologun jug-korean Li Mjung-bak, para samitit global për sigurinë bërthamore.

Duke folur për rolin e Kinës në diplomacinë me Korenë Veriore në lidhje me programin e saj bërthmaor, Obama ka thënë:

“Besoj se Kina është e sinqertë kur thotë se nuk dëshiron ta shohë Korenë Veriore të zhvillojë armët bërthamore. Por, duhet që edhe të ndërmarrë veprime në lidhje me këtë në një mënyrë më të vazhdueshme”.

Para arritjes në Seul, Obama ka vizituar zonën e demilitarizuar që ndan dy Koretë.

Ai ka shkuar në një postbllok vëzhgues në kufi dhe ka takuar trupat amerikane. Duke e vizituar këtë zonë, Obama pasoi hapat e presidentëve Ronald Regan, Bill Klinton dhe Xhorxh W. Bush.

Obama do të marrë pjesë në një samit ndërkombëtar mbi kërcënimet potenciale të terrorizmit nuklear dhe mënyrat se si të luftohet ai.

Më shumë se 50 liderë pritet të marrin pjesë në samitin që i zhvillon punimet të hënën dhe të martën.

Obama planifikon të zhvillojë bisedime edhe me kryeministrin turk Rexhep Tajip Erdogan, të cilat do të fokusohen në përpjekjet për të ndërprerë aksionin brutal të qeverisë siriane ndaj kryengritësve.

Të hënën, Obama do të takojë presidentin kinez Hu Xhintao dhe presidentin rus në largim Dimitri Medvedev. Të dy këto takime, do zhvillohen në margjina të samitit.

Kina është aleati kryesor i Koresë Veriore. Ajo dhe Rusia - së bashku me Korenë Jugore, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, janë të përfshira në negociatat e nisura në vitin 2003 në lidhje me programin kundërthënës bërthamor të armëve të Phenianit.

Negociatat kanë shënuar ngecje. Samiti dy ditor i Sigurisë Bërthamore do të fokusohet në minimizimin e kërcënimeve që vijnë nga terrorizmi bërthamor dhe në rritjen e sigurisë, apo ndaljen e furnizimeve botërore me plutonium dhe uranium të pasuruar.

Koreja Veriore ka kritikuar samitin e Seulit. Raportohet se Koreja Veriore ka transportuar pjesën kryesore të raketës me rreze të gjatë veprimi në një lokacion në veri-perëndim të vendit, për ta përgatitur për lansim.

Veriu ka paralajmëruar se në mes të 12 dhe 16 prillit do të lansojë raketën, e cila do të vendosë një satelit në orbitë. Lasnimi përkon me 100-vjetorin e lindjes së presidentit themelues të shtetit Kim Il-Sungit.

Të dielën, Koreja Veriore kërkoi nga populli i saj që t’i qëndrojë pas liderit të ri Kim Jong Un.

Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në sheshin qendror për të shënuar fundin e periudhës 100 ditore të zisë, pas vdekjes së babait të Kim Jong Unit, Kim Jong Il.

Uashingtoni është i shqetësuar për lansimin e raketës dhe dyshon se në fakt ajo është një provë e maskuar raketore.

SHBA ka thënë se plani rrezikon marrëveshjen me SHBA-të për furnizim me ushqim.(a.i.)
XS
SM
MD
LG